“Ura me tri harqe”, festa e artit të trevave shqipfolëse

uraaa

Edicioni i 10-të i ekspozitës kolektive “Ura me tri harqe” bashkoi në Tiranë artistët shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Universiteti i Arteve në Tiranë, Fakulteti i Arteve në Universitetin e Prishtinës dhe Fakulteti i Arteve në Universitetin e Tetovës organizuan më 23-24 maj aktivitetin tradicional kulturoro-artistik që shpalos më të mirën e artit panshqiptar.

Aktiviteti përbën një mënyrë komunikimi përmes artit midis trevave shqipfolëse dhe përmban larmi gjinish si piktura, instalacione, grafikë, art skenik dhe filmik. Po kaq të larmishme janë edhe stilet e artistëve dhe tematikat e punimeve.

Kuratori i ekspozitës Ermir Hoxha thotë se  “Ura me tri harqe” është rezultat i vullnetit dhe bashkëpunimit të tre universiteve, por se ky bashkëpunim duhet shtuar edhe në aspekte të tjera. “Mund të punohet mbi një tematikë, të shtohen tematikat ose të shtohet numri i aktiviteteve. Të mos mjaftohemi vetëm me një ekspozitë në vit”, tha Hoxha.

Sipas tij surpriza e ekspozitës mund të cilësohen artistët nga Prishtina të cilët kanë sjellë piktura konceptuale, me tematike, instalacione të veçanta që e kanë ngritur ndjeshëm nivelin e ekspozitës. Edhe artistët nga Tetova kanë rritje në cilësi në pikturat e tyre që ruajnë përgjithësisht traditën me portretet në telajo. Ndërsa Tirana dallohet për grafikën, pikturën dhe qeramikën.

Artistët pjesëmarrës diskutuan për tematikat e ndryshme dhe zhvillimin e artit në trevat shqipfolëse duke paraqitur ide për bashkëpunime të mëtejshme. Stacioni i radhës i “Urës me tri harqe” do të jetë Prishtina.

Pin It