Vendi nën epideminë e gripit, rreth 600 pacientë vetëm në Tiranë

gripi

Epidemia e gripit ka përfshirë të gjithë vendin dhe spitalet e qendrave të qyteteve po përballen me fluks pacientësh.

Qendrat Shëndetësore në Tiranë, Durrës, Korçë dhe Pogradec kanë qenë më të mbipopulluarat. Spitalet në Korçë dhe Pogradec janë detyruar të shtojnë numrin e personelit mjekësor për shkak të numrit të lartë të pacientëve, fëmijë dhe të rritur.

Në rajonin juglindor raportohet se janë shënuar me shumë se 350 vizita të fëmijëve të prekur nga gripi. Situata paraqitet e rëndë edhe në Durrës, ku në 24 orët e fundit në spital ka pasur 420 vizita nga pacientë që po vuajnë virozat e stinës.

Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se numri i përgjithshëm i vizitave në 10 qendrat shëndetësore të Tiranës ka qenë 576, nga të cilët 301 fëmijë dhe 275 të rritur.

Një ditë më parë për shkak të situatës së rënduar të gripit, Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit njoftuan mbylljen e kopshteve, çerdheve dhe shkollave deri ditën e hënë.

Pin It