VISARE SHQIPTARE – ”VISARET PËRMES OBJEKTIVIT TË APARATIT FOTOGRAFIK”

14706842_1150795558307607_5480311309800040948_o

Visare Shqiptare këtë të enjte ia kushtoi aventurave që bëhen nëpër bukuritë e vendit duke i dokumentuar ato në një fotografi. Për këtë kishim të ftuar Ivana Dervishi, gazetare dhe fotoreportere e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Investigative në Shqipëri.

Biseda nisi natyrshëm me pyetjen e thjeshtë se përse ajo fotografon. ‘’Eshtë e rëndësishme që njeriu të mund ta ndalë momentin kur sheh diçka të bukur dhe këtë të mund ta shohin të tjerët. Eshtë një lojë e dritës me natyrën që ndal përjetësisht një moment që ndoshta pas një minuti nuk do të jetë më i njëjti’’, kështu u shpreh Ivana për fotografinë.

Më pas biseda vazhdoi duke folur për fotografimin e visareve tona. Ivana tregoi që Shqipëria ishte vendi më i lehtë dhe njëkohësisht më i bukuri për t’u fotografuar. Kapja e çastit të krijon një lloj krenarie, dashurie, është një magji kur lëviz dhe shkrep ato vende për të cilat flasim. Kështu ka ndodhur dhe vazhdon akoma të ndodh për Ivanën e cila e nisi këtë aventurë në shtigjet e Krrabës. ‘’Aty thashë do të shkruajmë, por nuk duhet vetëm kjo duhet edhe të fotografojmë’’, kështu ka thënë ajo kur nisi të ushtronte fotoreportimin.

Ivana na solli në studio përjetimet e aventurës me biçikleta në pallajën e Dumres. Tha se ishte e rastësishme ideja e pedalimit në këtë zonë, por ajo pëlqen ta befasojë veten dhe të tjerët. Përpiqem të gjej një mënyrë si t’i vërtitem zonës, qoftë në këmb qoftë në biçiklet, tha më tej. Mendohet që kjo pllajë ka 85 liqene, por Ivana tha se arritën të shohin diku te 25 dhe për shkak të natyrës kodrinore ndërthuar me atë fushore tha se ishte e lehtë për t’u eksploruar.

Një aventurë e ngjashme si kjo në pllajën e Dumresë do të jetë në veri të Shqipërisë, në luginën e Kirit në Prekal të Shkodrës. ‘’Besoj që edhe këtu natyra do të na befasojë’’, tha Ivana. Çiklizmi në një zonë të tillë është paksa e vështirë por në të tilla zona çiklizmi të jep mundësinë të dalësh nga rrugët e zakonshme të turizmit. Në këtë formë mund të shkëputesh pak nga grupi, të vizitosh familjet vendase, të zbresësh për ta eksploruar zonën më hollësisht.

E ftuara jonë tha se i pëlqente ta bashkonte fotografinë me çiklizmin për shkak se të jep një adrenalinë të lëvizjes, ku ti përballesh me kilometra të tëra dhe e përjeton natyrën me mirë. Përballesh me flladin e lehtë ku ndalon për një çast për të bërë fotografinë e bukur që ti e sheh shkarazi duke lëvizur me biçiklet. Eshtë e vështirë të bësh një foto sikurse duhet, në mënyrë që ta reklamosh zonën me tipare që njerëzit nuk arrijnë t’i shohin, shprehet më tej fotoreporterja.

Ndër veçanësitë e tjera Ivana solli edhe momentin kur ata janë duke pedaluar dhe shikojnë banorët e zonës duke punuar tokën apo duke kthyer delet në shtëpi. ‘’Të ndalësh biçikletën në cep të rrugës, të hapësh aparatin, të gjesh këndin e duhur, të mos shqetësosh asnjë nga fshatarët që të mos ndihen të cenuar se po i shkrep një foto, të gjitha këto janë momente që për pak minuta të kthehen edhe në sfida’’, përshkroi Ivana.

Në vijim të bisedës e ftuara jonë tha se turizmi jonë nuk është vetëm vera, të cilën e shfrytëzojmë për të shkuar në plazh. Ivana tha se Shqipëria ka fatin që ka shumë burime ujore, mund të gjenden pellgje të krijuara spontanisht, përrenjë, lumenjë, apo të shijosh kodrat ku mund të shuash vapën e verës. Ndër të tjera ajo sugjeroi dhe një liqen shumë afër Tiranës, liqeni i Lepurushit i cili gjendet në një lartësi 1000-1200 metra, afër Shën Gjergjit ku mund të realizosh një zhytje e të ndjesh freskinë e ujit.

Fotoreporterja na tregoi edhe për aventurat e saj nëpër Shqiperi. Një ndër to ishte pedalimi për në Durrës nga rruga e vjetër e Ndroqit ku i kishte marrë rreth 5 orë. Ivana tha se nuk është çmenduri të aventurosh, por është guximi për ta parë botën nga një këndvështrim tjetër. Një tjetër udhëtim i saj ishte ecja ne Qafshtamë, e cila klasifikohej ndër ecjet e nivelit fillestar deri në mesatar. Ivana tha se mbulimi me gjethe i parkut kombëtar të Qafshtamës është ndër gjërat më të bukura që mund t’i ndodh Shqipërisë në stinën e vjeshtës. Po ashtu fotoreporterja e cilësoi Shishtavecin si një një zonë që nuk duhet humbur. Dëbora që fillon në dimër e ndërthurur me mikpritjen e zonës të jep një tjetër shije. Në fund të ditës kupton që je kthyer në shtëpi me një tuf me miq dhe fotosh, e ku ka më bukur se kaq, thotë fotoreporterja duke buzëqeshur.

Ndër shumë momente të veçanta që Ivana përcolli në studio, ndau me ne edhe ndodhitë e këndshmë që rastis teksa udhëton. Për të ishte e rëndësishme komunikimi me njerëzit, një ‘’Puna e mbarë’’ teksa kalon rrugën apo shishja me ujin e freskët bashkë me bukën e mbështjellë me gazetë që banorët ofrojnë ta zbukurojnë udhëtimin thotë Ivana.

Në fund të bisedës e ftuara tha se arsyet për ta eksploruar Shqipërinë janë të shumta. Kur del të shohësh diçka të tërheq diçka më pas edhe një tjetër e kështu e gjen veten të varuar nga Shqipëria për të shijuar plotësisht turizmin dhe natyrën. Dilni nga shtëpia dhe keni për t’u mahnitur, kështu e mbylli fotoreporterja fjalën e saj.

14566467_1150795561640940_7658266697383587492_o

 

 

 

 

 

 

 

Pin It