Yllka Mujo lë “pa tekst” publikun e Teatrit Kombëtar

yllka-mujo

Yllka Mujo lë ” pa tekst” publikun e teatrit

Aktorja e njohur Yllka Mujo është duartrokitur gjatë nga publiku, gjatë shfaqjes “Sonte do të luajmë pa tekst”, këtë fundjavë (15 tetor) në skenën e Teatrit Kombëtar, mbrëmje e cila përkonte dhe me ditëlindjen e saj. Një nga aktoret më të dashura të Teatrit Kombëtar, Mujo solli një interpretim emocionues, në një vepër ku interpretonte dhe i biri aktori Amos Zaharia. “Sonte do të luajmë pa tekst” është një vepër e ndërtuar brenda një konflikti thelbësor – ( që zhvillohet në sy të publikut) një konflikt mes regjisorit që do të imponojë rregull e formë edhe kur improvizohet dhe aktorëve që duan t’u japin jetë personazheve. Piandello lëviz këtu, rreth temës kryesore të veprës së tij : teatri dhe mekanizmat e tij. Nëse në dy veprat e para të trilologjisë, teatraliteti është ngjizur si një tentativë shpëtimi prej jetës, këtu teatri është një iluzion. Tema e pjesës ngre pikëpyetje në lidhje me tekstin dhe si do të vihet në skenë, punës së regjisorit dhe të aktorëve që duhet t’i japin jetë botës së tij.

Yllka Mujo lindi në Tiranë në vitin 1953. Mbaroi për kanto në Liceun Artistik dhe më pas për aktore në Institutin e Lartë të Arteve, ndërsa më 1974 u emërua në Teatrin Popullor.

Në teatër ka interpretuar në dhjetëra shfaqje, midis të cilave te “Orët e Kremlinit” e Pogodin, “Luiza Miler” e Shilerit, “Përmbytja e Madhe” e K. Jakovës, “Vizita e Inspektorit” e Pristlit, “Nata e dymbëdhjetë” dhe “Zbutja e kryeneçes” e Shekspirit, “Natë me hënë” e Kadaresë, “Këngëtarja tullace” e Ioneskos, “Zonjusha Zhuli” e Stinbergut, “Kujdes! Kafshon” e A. Gernit.

Ka interpretuar në filmat “I teti në Bronx”, “Malet me blerim mbuluar”, “Zonja nga qyteti”, “Kur hidheshin themelet”, “Taulanti kërkon një motër” etj. Është aktore me kërkesa, me plastikë të zhdërvjelltë, energjike, shpërthyese; dallon për trajtimin e mençur dhe të kulturuar të roleve, duke rikuptimësuar në kohë idetë dhe gjendjet e tyre emocionale. Yllka Mujo kalon lehtësisht sa nga drama në komedi, sa nga personazhet me mbartje psikologjike e përjetime të brendshme, tek personazhet komike, deri paroditë dhe groteskë. Më 1995 fitoi çmimin “Aleksandër Moisiu” si aktorja më e mirë e Festivalit Kombëtar të Teatrove për rolin e Julias në dramën “Fernando Krafti më ka shkruar këtë letër” të Dorstit. Mban titullin  Artiste e merituar.

Pin It