Zhvillohet protesta, shoqëria civile me kartona të kuq kundra ligjit të mbetjeve

protesta-1

Aleanca Kundër Importit të Plehrave zhvilloi sot protestën e paralajmëruar duke marshuar nga bulevardi kryesor i Tiranës drejt selisë së Kryeministrisë. Protestuesit mbanin në duar pankarta me mbishkrime kundra importit të mbetjeve dhe kartona të kuq në shenjë mosaprovimi ndaj ligjit të miratuar.

Protestuesit i bënë thirrje kryeministrit Rama të anullojë ligjin dhe kërkuan nga Presidenti që të mos e dekretojë atë.

“Ligji vërtet u miratua me 63 vota në Kuvend, por janë të paktën 63 mijë vetë që janë kundër tij”, thane ata.

Shoqëria civile dhe ambientalistët që morën pjesë në protestë mohuan çdo lloj lidhjeje me ndonjë kah politik, duke theksuar se qëllimi i tyre është mbrojtja e të ardhmes së fëmijëve.

“Ky nuk është organizim politik. Për të gjithë pjesëmarrësit simbolika e protestës është kartoni i kuq për t’i thënë jo ligjit për importin e plehrave. Shqipëria nuk mund të jetë kosh mbeturinash. Jo plehra në Shqipëri”, u shprehën ata.

Protesta, e cila nisi rreth orës 11:00 dhe përfundoi në orën 13:00, ishte paqësore, ndërsa për mbarëvajtjen e saj në çdo rast Policia e Tiranës kishte angazhuar 500 policë.

Pin It