Zjarri tek Biblioteka Kombëtare, drejtuesit: Nuk është prekur arkivi shqip

Biblioteka Kombëtare ka publikuar një njoftim për median, përmes të cilit sqaron ngjarjen e ndodhur sot në mjediset e saj, ku rreth orës 10 e 40, u sinjalizua ekzistenca e një vatre zjarri.

Sipas këtij njoftimi ende nuk mund të thuhet me saktësi se cilat janë dëmet e shkaktuara, por drejtuesit e BK thonë se nuk është prekur vendi ku ruhen vlerat e rralla dhe arkivi shqip i BKSH-së dhe as Baza Elektronike e të Dhënave Kombëtare të BKSH.

Sipas tyre menjëherë u ndërmor zbatimi i protokollit zyrtar për të tilla raste, në bashkëpunim me Shërbimin e Zjarrfikëseve, Policinë e shteti, emergjencave civile dhe shëndetësore.

“Ky protokoll, nga ana e BKSH-së, parashikon evakuimin e menjëhershëm nga mjediset e bibliotekës. Mbas këtij evakuimi, vetëm një prej punonjësve shfaqi shqetësime të lehta me frymëmarrjen dhe mori shërbimin e menjëhershëm shëndetësor dhe është jashtë rrezikut për jetën. Situata u morr menjëherë në kontroll nga Shërbimi Zjarrfikës, i cili jo vetëm u paraqit me shpejtësi në vendngjarje, por punoi me përkushtim dhe profesionalizëm për vënien nën kontroll sa më të shpejtë të situatës”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu saktësohet se “nga të dhënat paraprake nuk na rezulton të jetë prekur mjedisi ku ruhen vlerat e rralla dhe arkivi shqip i BKSH-së dhe as Baza Elektronike e të Dhënave Kombëtare të BKSH-s”.

“Në kushtet aktuale është ende herët të dalim në përfundime profesionale mbi dëmet e shkaktuara dhe sapo të na krijohet mundësia ne do të komunikojmë sërish së bashku për të shkëmbyer informacione.  E rëndësishme është që sistemi ka funksionuar në të gjitha hallkat e veta dhe falë koordinimit të menjëhershëm të të gjitha strukturave dhe institucioneve, si Shërbimi i Zjarrfikëseve, Policia e shtetit, emergjencat civile dhe specialistët e BKSH-së, situata u vu për pak minuta në kontroll”, përfundon njoftimi për mediat.

Pin It