130 vjet nga hapja e Mësonjëtores së Parë

7 marsi 1887 shënon hapjen e shkollës së parë në gjuhën shqipe e njohur si “Mësonjëtorja e parë shqipe”. Shkolla u hap në qytetin e Korçës dhe kjo ditë përkujtohet si “Dita Kombëtare e Mësuesve”, ndërsa sot mbushen 130 vjet nga çelja e saj.

Mësonjëtorja e parë u krijua nga një grup rilindasish dhe ishte e para shkollë fillore kombëtare dhe laike, ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe. Në këtë shkollë mësoheshin lëndët, shkrim, këndim, gjuhë shqipe, gramatikë shqipe, histori e Shqipërisë, gjeografi, aritmetikë.

Sipas dokumenteve të kohës, veprimtaria e kësaj shkolle përshkohej nga idetë patriotike, edukata e punës dhe dashuria për dije. Mësonjëtorja e parë shqipe u përkrah gjerësisht nga masat patriotike korçare dhe ato të mërgimit.

Drejtuesit e parë të shkollës qenë patriotët e Rilindjes sonë Kombëtare, Pandeli Sotiri, Nuçi Naçi, Petro Nini Luarasi, i cili u zgjodh edhe si drejtor i parë i shkollës. Petro Nini Luarasi ishte një nga figurat kryesore të kohës, veprimtar i Rilindjes Kombëtare shqiptare, publicist dhe pedagog. Ai mëtoi mësimin e gjuhës shqipe në fshatra të ndryshme të Shqipërisë, hapi shkollën e parë shqipe në Ersekë dhe shkollat shqipe në krahinën e Kolonjës.

Një nga nismëtaret e krijimit të shkollës shqipe ishte edhe Parashqevi Qiriazi, atdhetare dhe veprimtare e shquar, e cila punoi për arsimimin e gruas shqiptare. Me botimin e librit të saj “Abetare për shkollat e para”, ajo zuri vend në historinë e shkollës shqiptare, si e para grua autore e teksteve shkollore.

Mësonjëtorja e parë shqipe pati një jetë 15-vjeçare. Rëndësia e krijimit të kësaj shkolle qëndron në faktin se ajo institucionalizoi mësimin e gjuhës shqipe në Shqipëri dhe krijoi një plejadë njerëzish, të cilët u bënë më vonë veprimtarë të lëvizjes për çlirim kombëtar dhe shoqëror të vendit.

 

Pin It