2.3 milionë lekë gjoba në një ditë ndaj bizneseve në Tiranë

peshk-640x360

 

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka kryer inspektime në 3 tregjet kryesore në Tiranë,  ku janë marrë masa me gjobë 300 mijë lekë, deri në paralajmërime për bllokim aktiviteti.AKU ka kryer kontrolle në Tregun e Kombinatit, në Tregun në hyrje të Ish-Uzinës “Dinamo” dhe në Tregun Agro-Ushqimorë në rrugën Tiranë-Durrës.

Inspektorët e AKU kanë konstatuar se, shumica e subjekteve tregtonin produkte, duke mos plotësuar kushtet higjeno-sanitare. Konkretisht, produktet si djathë, peshk, gjalpë, gjizë, ullinj, mish etj, tregtoheshin jashtë ambjenteve, duke mos u mbajtur në frigoriferë, ashtu siç e parashikon ligji.

Inspektorët e Drejtorisë Rajonale të AKU-së Tiranë, kanë vendosur gjoba për 10 subjekte. Gjithashtu këto biznese janë paralajmëruar për bllokim të produkteve, nëse do të konstatohet se,i tregtojnë përsëri ato, në ambjentet jashtë biznesit.

Në Tregun e Kombinatit, 3 subjekte janë gjobitur me 700.000 lekë gjithsej.

Në Tregun në hyrje të ish-Uzinës “Dinamo”, 4 subjekte janë gjobitur me 750.000 lekë gjithsej.

Në Tregun Agro Ushqimor në rrugën Tiranë-Durrës, 3 subjekte janë gjobitur me 900.000 lekë gjithsej.

Gjobat që ka vendosur Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në vetëm një ditë, kapin shifrën e 2.350.000 lekë.

Në disa raste, produkte si gjiza apo djathi, shiteshin në rrugë dhe për këto subjekte është vendosur gjobë 300.000 lekë dhe u la detyrë të plotësoheshin kushtet, në të kundërt do merret masa për pezullim aktiviteti.

djath-640x360Ky aksion, fillimisht është kundërshtuar nga tregtarët, por më pas shumica prej tyre kanë pranuar se nuk plotësonin kushtet higjieno-sanitare.

Aksioni i AKU-së, ka për qëllim ndërgjgjesimin e Operatorëve të Biznesit Ushqimor, për të tregtuar produktet ushqimore, ashtu siç parashikon ligji dhe heqjen nga tregu të çdo lloj ushqimi që mund të përbëjë rrezik për konsumatorët.

Gjithashtu Autoriteti Kombëtar i ushqimit po kryen kontrolle edhe në tregje të tjerë, për të parë nëse plotësojnë kushtet higjieno-sanitare.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit i bën apel qytetarëve që të denoncojnë çdo rast abuzimi me ushqimet, në tregje dhe nëpër biznese.

 

Pin It