7 mars, përkujtohet hapja e shkollës së parë shqipe

korce_876712-655x356

Në të gjithë Shqipërinë sot përkujtohet hapja e shkollës së parë shqipe. Hapja e mësonjëtores së parë shqipe në Korçë në 7 Mars të vitit 1887, ishte arsyeja e kthimit të kësaj date në një festë për gjithë arsimtarët, e cila tashmë njihet si festa e mësuesve.

Që nga kjo ditë, “Mësonjtorja e parë” hyri në histori si pionierja e arsimit  kombëtar dhe dita e çeljes së shkollës si festë, duke bërë kështu që çdo 7 Mars të nderohen kontribuuesit më të mëdhenj në edukimin e brezave.

Gjatë ditës së sotme në të gjitha shkollat e vendit pritet të zhvillohen aktivitete të shumta festive, me recitime poezish, valle, si dhe rikujtimin e momentit të hapjes së mësonjëtores në qytetin juglindor. Në këtë ditë mësuesit do të jenë në qendër të vëmendjes.

Në këtë ditë të shënuar për mësuesit, ministria e arsimit Lindita Nikolla ka organizuar një sërë aktivitetesh në nder të tyre si dhe u ka dërguar atyre një letër urimi. Këtë 7 mars Nikolla së bashku me kryeministrin Edi Rama ishin në shkollën “28 Nëntori” në Shkodër ku edhe dhanë urimet përkatëse. Ndërsa rreth orës 13 ministria e arsimit pritet tu shtrojë një drekë mësuesve të dalluar në vilën qeveritare nr 31. Ndërsa aktiviteti mbyllës për këtë ditë pritet të jetë rreth orës 18 në Teatërin e Operas dhe Baletit ku janë të ftuar rreth 800 mësues nga i gjithë vendi të cilët do të nderohen dhe vlerësohen me disa çmime.

Më poshtë mund të lexoni urimin që Ministria Nikolla u kë dërguar mësuesve

I/E dashur

Sot është dita që të sjell urimet e festës nga nxënës, prindër e kolegë: nëse ende nuk e ke marrë nga një ish kolege, atëherë unë jam e para që të uroj:

Gëzuar 7 Marsin! Gëzuar festën e mësuesit dhe shkollës shqipe!

Unë e di pasionin, dashurinë dhe përkushtimin që Ti ndan çdo ditë me nxënësit e tu. Ëndrra për çdo nxënës fillon nga një mësues. Kështu ka qenë edhe për mua.

Nuk e ke filluar edhe ti ëndrrën tënde nga mësuesja jote? Unë po. Njoh mësuesen, mësuesit që i dhanë krah dhe jetësuan edhe ëndrrën e sime bije.

Shpesh pyes veten nëse në 16 vitet e mia të mësimdhënies u shërbeva dhe unë nxënësve të mi, siç u kërkova dhe mësuesve të sime bije.

Nuk di a ia dola që përmes punës së pandalur dhe të vërtetave të përbotshme të kultivoja dijen, po aq sa edhe sjelljen e qytetarisë demokratike.

Sa nxënës ndihmova të mësonin ndryshe përmes bashkëpunimit, debatit e të të ushtruarit?

Sa arrita të ngjall dëshirën për të ndryshuar edhe tek të tjerë, që në të kundërtën  do të ishin në rrugë e problematikë për shoqërinë?

Përgjigjet përpiqem t’i gjej duke punuar së bashku me çdo mësues për kurrikulat dhe tekstet e reja, për programet e ndihmës për nxënësit e talentuar dhe me nevoja të veçanta, te klasat inteligjente, te shkolla qendër komunitare etj.

Mirënjohje edhe për kontributin tënd.

Si drejtuese e arsimit  e di se Ti meriton edhe më shumë mbështetje. Vendosja e sistemit të ri të emërimit përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”, është një pikë e rëndësishme kthese, por ende kemi shumë për të bërë.

Vijojmë me një skemë të re kualifikimi, pasi, siç Ti e di, vlerësuam nevojat e secilit prej jush me një testim kombëtar.

Jam shumë e vendosur për të luftuar korrupsionin dhe larguar politikën nga shkolla, por më duhet edhe ndihma jote.

Nëse shkolla është vendi ku e ardhmja hedh rrënjë, atëherë po shkolla është vendi ku e tashmja kërkon përfshirjen e të gjithëve.

Ndjesë për emocionet e mia, por dhe më shumë ndjesë nëse diku nuk ia kam dalë të jem edhe zëri yt.

Gëzuar dhe suksese!

Përqafime,

Lindita

Pin It