8 Dhjetori, Dita Kombëtare e Rinisë

fakulteti-filologjik-universiteti-i-tiranes

8 Dhjetori shënon Ditën Kombëtare të Rinisë, në nder të studentëve që u bënë iniciatorë të rënies së komunizmit dhe lindjes së demokracisë.

Me shprehjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, një grup studentësh të Universiteteve të Tiranës, përkrahur nga pedagogë të tyre u bënë shënjuesit e kthesës historike. Banorët e Qytetit “Studenti”, sollën rënien e komunizmit dhe lindjen e demokracisë me anë të protestave paqësore.

Në protestat e tyre, të rinjtë shqiptarë kërkuan që ngrihej sistemi i vlerave perëndimore dhe e shtetit të së drejtës. Të rinjtë u bënë iniciatorë të dhënies fund të epokës së vetëizolimit dhe sundimit ideologjik dhe të hapjes rrugë të ekonomisë së tregut dhe shoqërisë së hapur.

Me lëvizjen dhe idetë e saj u bashkuan pedagogë, akademikë, intelektualë qytetarë të Tiranës dhe të qyteteve të tjera kryesore duke e shndërruar Lëvizjen Studentore në një revolucion kombëtar demokratik.

Dita e Rinisë Shqiptare, 8 Dhjetori, është shpallur nga Kuvendi i Shqipërisë si Dita Kombëtare e Rinisë, në kujtim të Lëvizjes Studentore të vitit 1990.

Pin It