Vjeshton Valbona..

Vjeshta ka rënë këto ditë në luginën e Valbonës dhe e ka përflakur atë. Peizazhi i ngjyrosur me kolorin vjeshtor, ka tërhequr vizitorët e peizazhit.

Kjo është panorama që ofron Shqipëria për çdo turist të huaj që dëshiron të eksplorojë një vend të panjohur më parë. Bukuritë e rralla natyrore vijnë të gërshetuara me trashëgiminë kulturore dhe atë historike.

Të gjitha këto shoqërohen nga tradita mikpritëse, një vlerë kjo e njohur  tashmë edhe nga bujtësit e përtej kufijve.

Turistë të shumtë nga vendi dhe bota, kanë zbritur në luginë dhe emocionohen me pamjen e mrekullueshme vjeshtore. Banorët janë të përgatitur për vërshimin e vizitorëve të stinës dhe kanë bërë gati bujtinat e tyre.

Në bujtinat e Valbonës, ndërtesa kryesisht dykatëshe të stilit tradicional, me çati të pjerrëta e në të rrallë edhe me tjegulla, vizitorët gjejnë ushqime tradicionale, shtrojë e mbulojë, pra, gjithçka duhet dhe një peizazh stinor mahnitës.

Rruga deri në Valbonë është një mrekulli më vete me peisazhe pyjore e ujore, male e lugina mbresëlënëse.Lundrimi me tragetin Koman-Fierzë paraqet një atraksion të vërtetë turistik për këdo që viziton Tropojën dhe Valbonën në të katër stinët. Janë dhe dy rrugë të tjëra që të çojnë në luginën e bukur, njëra kalon nga Kukësi, Hasi, Tropojë e Vjetër, Valbonë dhe  tjetra nga Prizreni, Gjakova, Valbonë.

Lugina këto ditë është e ngjyrosur nga stina e vjeshtës që paralajmëron stinën e bardhë.

Pin It