Lexojuni fëmijëve me zë, i ndihmon të socializohen dhe ta duan librin

Fëmijët arrijnë të kuptojnë shumë mirë çdo gjë që ju drejtohet atyre. Ata e kuptojnë kur ju i buzëqeshni, kur mërziteni me ta, si dhe kur i lexoni libra me zë të lartë.

Nëse ata janë shumë të vegjël, nuk kanë për ta kuptuar përmbajtjen, por do të mësojnë shumë për zërin, shprehjet, intonacionin e prindit.

Më pas, kur fëmija të rritet, do të përpiqet të imitojë mënyrën se si ju lexonit, apo se si i kthenit faqet e librit. Të gjitha këto veprime të skalitura në kujtesën e një fëmije do ta ndihmojnë atë të ruajë përqendrimin dhe të kuptojë kënaqësinë e leximit. Nëse libri ka figura, atëherë fëmija do të kënaqet duke i parë dhe duke i identifikuar ato me emrat përkatës (psh identifikimi i kafshëve në faqet e librit). Por edhe nëse nuk ka figura, ju duhet ta mësoni fëmijën të paktën se si të kthejë faqet e librit. Kjo do të rrisë përqendrimin e fëmijës suaj.

Leximi është pjesë shumë e rëndësishme për një person që do të jetë i kulturuar, ndaj është detyrë e çdo prindi të marrë fëmijën e tij dhe t’ia shtojë dashurinë për librat që kur ata të jenë të vegjël. Edhe pse mund të mos ju pëlqejnë librat e fëmijëve, apo t’ju duken të kota përrallat që do të lexoni, përpiquni të mos e shfaqni mospëlqimin tuaj. Nëse ju tregoheni të bezdisur apo e shprehni hapur mospëlqimin tuaj, të njëjtin mospëlqim do të ushqejë edhe fëmija juaj për leximin në të ardhmen.

Kuptohet që komunikimi është pjesë shumë e rëndësishme e përditshmërisë sonë. Ai na mundëson ndërveprimin më të lehtë me të tjerët, ndaj nëse doni që fëmija juaj të jetë më social në të ardhmen, përpiquni t’i bëni ata t’i duan librat. Lexojini me zë të lartë, merrini pak kohë në ditë dhe lexoni libra në prani të tyre. Ndihmojini fëmijët tuaj të kenë një të ardhme sa më të mirë, pavarësisht se mund të mendoni që është shumë herët. 

Pin It