Ministria e Jashtme e Sirisë ka thënë se presidenti sirian, Bashar alAssad ka pranuar marrëveshjen për armëpushim, të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, por ka paralajmëruar se regjimi do ta shkelë atë, nëse grupet e armatosura e përdorin për të forcuar pozicionet e tyre.
Armëpushimi, i cili nuk përfshin sulmet kundër militantëve të Shtetit Islamik dhe Frontit alNusra, pritet të nisë më 27 shkurt. Opozita ka kushtëzuar respektimin e armëpushimit me heqjen e rrethimeve nga forcat qeveritare, me ndërprerjen e sulmeve ndaj civilëve, me lirimin e të burgosurve nga Damasku dhe me shpërndarjen e ndihmave humanitare. “Kjo është një mundësi reale për të ndaluar gjakderdhjen “, ka komentuar presideti rus Vladimir Putin, pas një bisede telefonike me liderin amerikan Barack Obama. “Ka ardhur momenti që të lehtësojmë vuajtjet e popullit sirian, nxitjen e procesit politik të udhëhequr nga Kombet e Bashkuara dhe të përqendrohemi në mundjen e ISIS”, është shprehur nga ana tjetër presidenti amerikan Barack Obama.