A po bëhet Turqia një shtet diktatorial?

 

13815034_1771541519796334_846880526_n

Kryeredaktori i “New Europe”, Theodoros Benakis, analizon situatën aktuale në Turqi, duke vënë në dukje disa detaje që tregojnë një Turqi që me kalimin e kohës po i përngjason një shteti totalitar. Në shkrimin e tij Benakis përmend disa nga rastet e cënimit të lirisë dhe demokracisë nga veprimet autoritariste të presidentit dhe qeverisë turke.

Ai qëndron veçanërisht në raportin dhe qëndrimin e presidentit Erdogan ndaj teologut dhe dijetarit Fethullah Gylen, drejtues i një lëvizjeje ideo-shpirtërore që promovon dialogun ndërfetar. Benakis tërheq fillimisht vëmendjen mbi faktin që Erdogan e dinte se cilët ishin organizatorët e tentativës për të marrë pushtetin me dhunë, duke fajësuar menjëherë Gylenin.

Ai thotë se Erdogan edhe më herët kishte ndërmarrë një sërë sulmesh ndaj përkrahësve të Gylenit në Turqi, duke mbyllur një bankë dhe disa media. Sipas autorit ky ishte në radhë të parë një sulm ndaj demokracisë në vend, pasi me këto veprime presidenti turk tregoi se nuk lejonte asnjë aktivitet ekonomik që nuk është në të njëjtën linjë politike me të dhe se liria e shtypit në Turqi nuk ekziston.

Benakis shkon më tej, duke thënë se edhe fajësimi ivazhdueshëm i Gylenit nga ana e Erdoganit, është tregues i një tipari të diktatorëve që kërkojnë një “emër”, “armik”, për të luftuar dhe për të kontrolluar të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga ai. Kryeredaktori i “New Europe” thotë se ky rast i përngjan rastit të Trockit dhe Stalinit në Rusi.

“Revolucionari rus që në fillim të viteve 1920 pati përplasje me fituesin e regjimit. Që nga viti 1925, ai e kishte humbur luftën. Në fillim emigroi në Turqi dhe pastaj u persekutua nga autoritetet sovjetike, Trockit në fund iu dha azil politik në Evropë dhe më pas në Meksikë. Në vitin 1940 Trocki u vra nga një agjent i shërbimeve sekrete sovjetike. Por, pavarësisht nga fakti se mbështetësit Trockit u burgosën dhe ekzekutuan në Bashkimin Sovjetik dhe pasuesit e tij në Evropë llogariteshin vetëm disa qindra, emri i tij u përdor dhe ai u përshkrua si një udhëheqës super i fuqishëm ndërkombëtarisht, një aleat i Hitlerit, Musolinit, Perandorit të Japonisë, dhe kapitalizmit perëndimor. E gjithë periudha e viteve 1930, e cila kulmoi me ekzekutimin e liderëve të revolucionit rus në vitin 1938, u dominuan nga “Kërcënimi Trockist”. Në fakt, kërcënimi i Trockit shërbeu si një pretekst ideal, për të cilin Stalini kishte nevojë për të eliminuar këdo që kundërshtonte atë dhe të konsolidonte pushtetin e tij.”

Ai shton se nuk mendon se Gyleni është vërtetë i rrezikshëm për Turqinë dhe pushtetin e erdoganit. Sipas tij Gyleni është thjesht një pretekst që i duhet Eroganit për të bërë spastrimet staliniste në Turqi.

“Stalini ishte drejtuesi i një perandorie të madhe, dhe ai ishte në fillim të formësimit dhe konsolidimit të një regjimi diktatorial. Stalini gjithashtu kishte mbështetjen e popullsisë në numër të madh të ishfshatarëve, të cilët pas revolucionit u shpërngulën në qytete. E ardhmja e tyre ishte e lidhur pazgjidhshmërisht me regjimin e ri politiko­ekonomik të përfaqësuar nga Stalini dhe fraksioni i tij i fortë brenda shtetit Sovjetik dhe Partisë Komuniste. Pavarësisht mizorive, masakrave dhe krimeve për të cilat regjimi sovjetik është përgjegjës, stalinizmi veproi dhe si një forcë unifikuese për shoqërinë në periudhën e pas revolucionit rus.

Ndërsa Erdogan, është drejtuesi i një shteti me një rëndësi të veçantë gjeopolitike, por me shumë probleme. Për shembull, ekonomia e Turqisë konsiderohet të jetë në prag të një krize, çështja kombëtare kurde mbetet ende e pazgjidhur dhe shoqëria është thellësisht e përçarë mbi sekularizmin. Dhe më e rëndësishmja, Turqia gjithashtu po përballet me një izolim ndërkombëtar.

Dhe mbi të gjitha, zig­zaget politike dhe diplomatike të Erdoganit dhe kthesat e tij të menjëhershme, e kanë bërë Turqinë pjesë të problemit të krizës siriane. Angazhimi i tij kundër Assad­it dhe indirekt, edhe pse e dyshimtë, marrëdhëniet me Shtetin Islamik, kanë rezultuar me pasoja dhe humbje të konsiderueshme në nivele diplomatike dhe ato të sigurisë. Erdogan ka krijuar një krizë diplomatike edhe me Egjiptin. Dhe, ai u poshtërua duke shprehur keqardhje dhe duke kërkuar ndjesë ndaj Vladimir Putin për rrëzimin e avionit ushtarak rus nëntorin e vitit të kaluar. Me hapat e njëpasnjëshëm të ndërmarra prej tij për zgjerimin e qëllimeve të tij autoritare, Erdogan e ka përçarë thellësisht shoqërinë turke.

Gjithashtu, tashmë është shumë e vështirë që ai të bindë aleatët potencialë (SHBA­-të dhe Bashkimin Europian) se sulmet e tij mbi pronat e grupimeve të caktuara dhe pronat e qytetarëve të thjeshtë, janë kryer nën pretekstin se këto i përkasin lëvizjes së Gylenit.

Dhe pas qartësimit dhe zbardhjes së ngjarjeve pas përpjekjes së fundit për një “grusht shteti” në Turqi, shumë personalitete të rëndësishme politike europiane dhe amerikane kanë dyshime serioze. Nëse rreziku që përfaqësojnë armiqtë e presidentit dhe qeverisë turke ishte kaq i madh dhe kaq ekstrem, dhe nëse kjo ishte një suprizë e tmerrshme për regjimin, atëherë si ka mundësi që regjimi e kishte kaq të lehtë dhe të thjeshtë që të përballej me një tentative të tillë dhe të shtypte grushtin e shtetit? Surpriza e vërtetë ishte pikërisht shpejtësia me të cilën iu përgjigj “shteti i kapur në befasi” i Erdoganit. Gjithashtu për ne është tejet “suprizues” dhe fakti që burokracia turke ishte aq efektive në përpilimin e listave të gjata të personave të përfshirë në përgatitjen e grushtit të shtetit të dështuar. Lista përfshin gjyqtarë, oficerë të ushtrisë, akademikë dhe mësues të sistemit parauniversitar… Me fjalë të tjera, lista përfshin të gjithë ata që përbëjnë elitën opozitare të vendit.

Në njërën anë, Erdogan po orkestron konsolidimin e regjimit të tij autoritar. Dhe nga ana tjetër, megjithatë, ai po e dobëson akoma më shumë vendin e tij, veçanërisht në një periudhë që është tejet e rëndësishme për të gjithë rajonin. Ky është një fakt që nuk mund të injorohet nga Bashkimi Europian. Turqia është një vend me lidhje të shumta me Bashkimin Europian dhe është, natyrisht, një vend tejet i rëndësishëm për objektivat strategjike, ato të sigurisë dhe energjetike të Bashkimit Europian.

Mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe parimeve demokratike në Turqi duhet të na shqetësojnë të gjithëve. Në vitin 1930, demokracitë perëndimore i kuptuan përmasat reale të asaj që Stalini e cilësonte si “Kërcënimi Trockist” dhe pavarësisht faktit që nuk ndanin të njëjta ide me të arratisurit rusë, ata u ofruan atij azil politik dhe mbrojtje, ashtu siç bënë me shumë komunistë dhe anarkistë, të cilët u arratisën nga Bashkimi Sovjetik. Vendet perëndimore arritën të dërgonin një mesazh të qartë për Stalinin që ai nuk mund të impononte vullnetin e tij mbi demokracitë perëndimore. Ata gjithashtu nënvizuan dhe angazhimin e tyre për të mbrojtur demokracinë dhe vlerat e saj.

Të kthehemi tek rasti i tanishëm. Erdogan, në një mënyrë tejet arrogante dhe urdhëruese po kërkon nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës “kokën e Gylenit”, pra po kërkon bashkëfajtorë dhe bashkëpunëtorë. Nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të marrin në konsideratë kërkesën e Turqisë për të ekstraduar Fethullah Gylenin, kjo do të ishte një goditje e rëndë kundër vetë demokracisë.

Duke mbrojtur Gylenin nuk do të thotë që po mbrohen pikëpamjeve të tij, por është një mbrojtje e demokracisë dhe e të drejtave të njeriut në Turqi. Në fakt, ajo është mbrojtja e demokracisë në vendet tona, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian.”

“New Europe”, Theodoros Benakis

Pin It