Ai, ishte shembull i thjeshtësisë…

Thjeshtësi, do të thotë të pranosh veten si një njeri mes njerëzve apo si një pjesë e zakonshme e krijimit të Allahut. Një fjalë e urtë thotë: ” Ji mes njerëve, njëri prej tyre.”

Thjeshtësia, krahas të qenit porta kryesore e moralit hyjnor, është mjeti parësor për të qenë pranë Krijuesit dhe pranë krijesave. Njeriu nuk u krijua në qiej, por në tokë. Jo më kot besimtari, kur bashkon në sexhde këmbët dhe kryet në të njëjtën pikë, gjendet më pranë Allahut.

Allahu në Kur’anin Fisnik, si dhe i Dërguari i Allahut (s.a.s) në Sunetin e tij, dëshmojnë aq shumë për thjeshtësinë, saqë atij që dëgjon e mëson për këta shembuj, nuk i mbetet asnjë dyshim se të qenurit rob i vërtetë i Zotit, s’është veçse thjeshtësi e përulësi. Kur’ani shprehet kështu për modestinë: “Ata me njëri tjetri janë shembuj të dhembshurisë e të mëshirës … kurdoherë i gjen të përkulur në ruku e të përulur në sexhde duke kërkuar kënaqësinë e Allahut (xh.sh)”. [Surja Fet’h, 29]

Profeti i Zotit (s.a.s) gjithë jetën e kaloi duke qëndruar kurdoherë në këtë linjë: Shkonte pranë fëmijëve dhe i përshëndeste. Nëse dikush, kushdo qoftë e zinte përdore dhe dëshironte ta merrte me vete diku, ai ngrihej pa ngurruar. U ndihmonte grave në punët e shtëpisë. Kur të gjithë merreshin me një punë, edhe ai merrte pjesë dhe mundohej të punonte me të tjerët. Rregullonte këpucët, arnonte rrobat, milte dhinë, ushqente kafshët e ulej në sofër bashkë me shërbëtorin. E mbante kuvendin gjithmonë të hapur edhe për të varfërit. Tregonte vëmendje e kujdes për vejushat e jetimët. Vizitonte të sëmurët, ishte i gatshëm për të qenë i pranishëm në raste vdekjesh dhe i përgjigjej ftesës së skllevërve. Sepse Allahut i shkon madhështia, kurse njeriut thjeshtësia.

Tregohet se në një rast Profeti (s.a.s) kishte vetëm tri monedha. Kishte nevojë të blinte një veshje: E blen atë dhe, duke u kthyer, takon në rrugë një prej sahabeve të tij, i cili sheh rrobën e re dhe i thotë që është shumë ë bukur. “A të pëlqen?”, -e pyet Profeti (s.a.s). “Po”, -përgjigjet sahabiu. “Atëherë merre, ta kam dhuruar”, -thotë Krenaria e njerëzimit (paqja e Zotit qoftë mbi të). Kështu , i Dërguari i Allahut blen përsëri një rrobë me monedhën e dytë. Kur kthehet rrugës, sheh një vajzë të vogël që po qante. E pyet e ajo i tregon se zonja e saj i kishte dhënë një monedhë për të blerë miell, por e kishte humbur. “Urdhëro”, -i thotë Profeti (s.a.s) duke i dhuruar edhe monedhën e fundit që kishte. Kur vajza thotë se kishte frikë se zotëria do ta qortonte, sepse ishte vonuar, atëherë Profeti (s.a.s) e shoqëron. Kur shkojnë në shtëpinë  e zotërisë, ky i fundit nga gëzimi që Profeti (s.a.s) e nderoi me ardhjen e tij, e liron vajzën e vogël.

Kjo ishte madhështia e Tij. Ai, teksa hynte pas vitesh të tëra fitimtar në Mekën, që ishte detyruar ta braktiste dikur, prej thjeshtësisë e përulësisë, e mbante kryet e bekuar të ulur aq sa balli i tij i bekuar të prekte kafshën mbi të cilën qëndronte. Madje mund të thuhet se ai, për 23 vite, në jetën e tij plot e përplot me ngjarje që e shtyjnë njeriun në krenari, kryelartësi e dlir madhështie, jo vetëm që nuk shfaqi asnjëherë ndonjë sjellje të kundërt me thjeshtësinë, por të tilla ngjarje u bënë shkak, që ai vetëm t’i shtonte thjeshtësinë e përulësinë te vetja.

Burimi: “Drita Islame”

Pin It