AKEP, rregullore të re për tarifat për komunikimin

smartphone-mobile-computer-ss-1920-800x450

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka propozuar një rregullore të re për tarifat për shërbimet universale të komunikimit, që do të përfshijnë thirrjet telefonike, mesazhet e shkruara dhe internetin.

Ky propozim sjell për herë të parë për qytetarët shqiptarë të drejtën e shërbimit universal me tarifa të rregulluara. Synimi i kësaj pakete është garantimi i komunikimit bazë, pavarësisht konkurrencës së operatorëve në treg.

Sipas kësaj rregulloreje të gjithë operatorët e komunikimeve elektronike do të ofrojnë paketën bazë të komunikimit bazuar në tarifat e AKEP.

Propozimi i AKEP parashikon tre paketa bazë për komunikimin universal: për telefoninë, internetin dhe një paketë të integruar, që përfshin të dyja shërbimet. Paketa e telefonisë përfshin 200 minuta thirrje kombëtare, të cilave ju shtohen edhe 50 mesazhe të shkruara në rastin e operatorëve celularë, kundrejt një tarife prej 500 lekësh në muaj.

Paketa e internetit duhet të ketë një shpejtësi prej të paktën 2 Mbps dhe volum trafiku 1 deri në dy gigabit, për një pagesë fikse mujore gjithashtu prej 500 lekësh, si për operatorët fiksë, ashtu edhe për ata celularë.

Ndërsa, paketa e integruar, që bashkon thirrjet telefonike dhe internetin, me të njëjtat kushte si paketat e veçanta, do të kushtojë 800 lekë në muaj për telefoninë fikse dhe 1000 lekë në muaj për telefoninë celulare.

Pin It