Aleanca Kundër Importit të Plehrave (AKIP) po proteston përpara Parlamentit duke kërkuar futjen në seancë kuvendore të ligjit të mbetjeve. Protesta filloi rreth orës 23:00 të ditës së mërkurë dhe rreth 80 aktivistë kaluan gjithë natën para godinës së Parlamentit në shenjë proteste ndaj importit të mbetjeve.
Sipas tyre Parlamenti sot parashikonte votimin e dekretit të Presidentit Nishani për rishikimin e ligjit për importin e mbetjeve, por kjo çështje është hequr qëllimisht nga rendi i ditës në orët e fundit. Megjithatë aktivistët e AKIP kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen deri në votimin e dekretit të Presidentit.
“Nuk do të ndalemi derisa të rrëzohet ligji i mbetjeve. Dekreti ishte parashikuar për të enjten në votim, por duke parë protestën, Shalsi e hoqi nga rendi i ditës. Por ne nuk do të ndalemi, pasi do të vazhdojmë që të protestojmë, pasi mund ta fusin sërish në rend dite gjatë seancës”, thanë ata.
Ndërsa deputeti socialist Eduard Shalsi, tha në fillim të kësaj jave se ka ardhur përgjigjja e delegacionit të BE-së për këtë ligj dhe se ligji është i mirëpërshtatshëm për vendin.
Protestuesit kanë ngritur çadra para Parlamentit dhe pretendojnë se Policia ka tentuar t’i nxjerrë me dhunë që aty, me pretendimin se nuk kishin leje. Ata theksuan se nuk kanë si qëllim të sulmojnë deputetët, por thjesht të pengojnë ardhjen e plehrave në Shqipëri.