Përfaqësues të Aleancës Kundër Importit të Mbetjeve dhe aktivistë të Shoqërisë Civile zhvilluan protestuan sërish para parlamentit kundër importit të mbetjeve. Protestuesit qëndruan gjithë natën para Parlamentit në shenjë proteste.
Ata kërkojnë futjen e dekretit të Presidentit kundër importit të mbetjeve në rendin e ditës në Parlament. Sipas përfaqësuesit Aulon Kalaja, ky dekret është programuar për t’u futur në rendin e ditës në Kuvend tre herë, por më pas ai është tërhequr përsëri.
“Ne e gdhimë mbrëmë për të qenë të sigurt sot. Unë kam një mesazh: Të na çlirojnë njëherë e përgjithmonë nga plehrat. Ta votojnë dekretin e Presidentit”, u shpreh Kalaja.
Ndërsa ambientalisti Sazan Guri, shprehu dyshimet e tij se parlamenti ka në plan të kalojë ligjin për mbetjet në seancën e 29 dhjetorit. Sipas tij refuzimi i Parlamentit për të futur në seancë ligjin e ndryshuar i nxit ata të vijojnë protestën.