Amaneti i fesë sonë…

Tregohet se një tregëtar i mirë, i këshillonte gjithmonë shitësit e tij, që klientëve, t’ua tregonin defektet e mallrave, sigurisht nëse ka ndonjë të tillë.

Një ditë, në dyqan vjen një klient jo-mysliman, i cili blen një rrobë dhe largohet. Pronari i dyqanit nuk u ndodh aty, ndërkohë që shitësi i punësuar, mendoi me vete: “Ky është jo-mysliman, s’kam përse t’ia tregoj çfarë defekti ka rroba që bleu.”

Kur u kthye pronari i dyqanit, pa që rroba e cila qe me defekt, nuk ishte aty. Shitësi i tregoi se sapo ia kishte shitur një jo-myslimani tre mijë derhemë, sigurisht pa i treguar se ishte me defekt. Pronari e pyeti me nxitim: “Ku është ai tani? Nga shkoi?” Shitësi i thotë që  e kishte parë të nisej me karvanin.

Pronari pasi mori tre mijë derhemët iu qep pas, derisa e zuri pas tre ditësh. Pasi e përshëndeti i tha: “O filan! Ke blerë filan rrobë, tek filan dyqan. Erdha të të them që ajo rrobë është me defekt, prandaj merri tre mijë derhemët e tu dhe ma sill rrobën që bleve!”

Jo-myslimani e pyeti i habitur: “E përse e bëre gjithë këtë?!”

Pronari i dyqanit ia ktheu: “Është feja dhe besimi im ai që më detyron ta bëj. Profeti Muhamed (s.a.s) na tregon se: “Kush mashtron nuk është prej nesh.”

Duke buzëqeshur, jo-myslimani i thotë: “Epo… Edhe derhemët që ia dhashë shitësit tënd, të falsifikuar ishin, prandaj urdhëro merri tre mijë derhemë të tjerë origjinalë! Madje po të jap dhe një myzhde: “Esh’hendu en la ilahe il-lallah, ue esh-hendu enne Muhameden Rasulullah.”

Të respektosh normat dhe moralet e fesë Islame, është mënyra më e mirë për të treguar madhështinë dhe vërtetësinë e kësaj feje. Amaneti është vlerë e cila duhet respektuar me të gjithë njerëzit, qofshin myslimanë apo jo-myslimanë.

Pin It