“Armiku i Popullit”, Teatri Shqiptar i Shkupit vjen në Tiranë

2.-Poster-print-1-480x343

Trupa e Teatrit Shqiptar të Shkupit do të sjellë të enjten në mbrëmje, më 2 qershor, në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli” shfaqjen “Armiku i Popullit” nga Ibsen.

Regjisori Dino Mustafiç i ka vendosur ngjarjet e dramës në kontekstin e zgjedhjeve politike në Maqedoni duke i zhvendosur ngjarjet brenda një ringu boksi. Personazhet e pajisura me doreza boksi në një hapësirë të kufizuar me litarë do të shpalosin përplasjet e njerëzve që luftojnë për pushtet.

Vepra e shekullit të 19-të e dramaturgut norvegjes Henrik Ibsen do të vijë me gjithë forcën e aktualitetit nën lojën e aktorëve të mirënjohur Bajrush Mjaku, Ilire Vinca, Bislim Mucaj, Salaudin Bilali, Alban Ukaj, Fisnik Zeqiri, Adrian Morina dhe Arta Selimi.

“Armiku i popullit” ka në fokus pushtetin dhe gjithë mekanizmat e tij. Pushteti i ka të gjitha mjetet dhe mundësitë ta mbrojë veten e vet nga rivalët e kundërshtarët. Atë fuqi, fuqinë e pushtetit, me të gjitha përmasat e saj, e ndjen në lëkurën e tij Doktor Stokman, mjeku i banjave, i cili shpallet “armik i popullit” nga i vëllai, Pjeter Stokman, njeri i veshur me pushtet. Fuqinë e pushtetit e ndjejnë me po të njëjtat përmasa edhe njerëzit e Doktor Stokmanit, familja dhe përkrahësit e idesë së tij për eliminimin e burimit të infeksionit në banjat e qytetit.

Pin It