Beogradi dhe Prishtina sjellin në Tiranë shfaqjen e përbashkët “Romeo dhe Zhulieta”

foto-ok

Në datat 7 & 8 qershor artistët nga Beogradi dhe Prishtina do të sjellin shfaqjen e përbashkët “Romeo dhe Zhulieta” në Teatrin Kombëtar në Tiranë.

Nën regjinë e Predrag Miki Manojlloviç aktorët shqiptarë dhe ata serbë do të paraqesin një projekt që është njëherësh dëshmi artistike e bashkëpunimit kulturor dhe kapërcimit të pengesave.

Radionica Integracija (Beograd) dhe Qendra Multimedia (Prishtinë) bashkuan artistët në një shfaqje që i hap rrugën tolerancës dhe dialogut mes kulturave. Ngjarjet e shfaqjes zhvillohen në kohën e sotme në Veronë, larg ngjyrimeve lokale, por sjellin mesazhe universale.

Shfaqja rrëfen për rëndësinë e tejkalimit të paragjykimeve, forcimin e besimit të ndërsjellë, tejkalimin e keqkuptimeve dhe të mungesës së tolerancës. “Romeo e Zhuljeta” arriti shikueshmëri të lartë në Serbi, në Kosovë dhe zgjoi interes të madh edhe në vendet e tjera të rajonit.

Në shfaqje interpretojnë aktorët Uliks Fehmiu, Anita Manciq, Mensur Safçiu, Tristan Halilaj, Milica Janevski, Jovana Gavriloviq, Edona Reshitaj, Nikola Rakoceviç, Arta Selimi Nebojsa Glogovac, Faris Berisha, Goran Jevtiç, Armend Baloku, Natasa Tapuskoviç e Miki Manojlloviç.

 

Pin It