Financat ndryshojnë strategji, lehtësime për biznesin

Hand-shake

Ministria e Financave ndërron strategjinë për luftën ndaj informalitetit. Paketa e re parashikon thjeshtimin e procedurave dhe krijimin e lehtësive fiskale për sipërmarrjen në të gjithë vendin.

Ministri i Financave Arben Ahmetaj tha se mbi 350 propozime të ardhura nga komuniteti i biznesit reflektohen në draftligj. Këto përfshijnë të drejtën e biznesit për të ndikuar në politikat fiskale dhe krijimin e një hapësire konsultimi mes sipërmarrjes dhe qeverisë.

“Disa elementë të cilët dëshiroj t’i veçoj si tejet të rëndësishëm janë e drejta e sipërmarrjes për t’u vetëkorrigjuar pa penalitet për një periudhë 5 vjeçare, detyrimi i administratës për njoftimin e sipërmarrjes 45 ditë para se të ushtrojë kontroll, koncepti i precedentit fiskal për zbatimin e legjislacionit, rikonceptimi i strukturës së apelimit, vendimet e të cilit do të jenë finale për administratën fiskale,” – shkruan ministri Ahmetaj në letrën dërguar shoqatave dhe dhomave të biznesit.

Ky projektligj vjen pas klimës së pafavorshme që u krijua me luftën ndaj informalitetit dhe masat e rrepta që u morën vitin e kaluar. Gjobat, taksat dhe penalitetet çuan në uljen e besimit të biznesit dhe stepjen i investitorëve të brendshëm dhe të huaj.

Ministri i Financave tha se nuk do të ketë rritje të mëtejshme të taksave dhe se projekti i ri do të përmirësojë klimën e të bërit biznes në vend.

Pin It