15 mln euro subvencione për 13 mijë fermerë

bujq

Qeveria shqiptare miraton fondin me vlerë 15 milionë euro për subvencionimin e fermerëve, agropërpunuesve dhe infrastrukturës bujqësore. Sipas Ministrit të Bujqësisë, Edmond Panariti, nga fondi do të përfitojnë rreth 13 mijë fermerë.

“Ne do të shkojmë afërsisht në 13 mijë fermerë që do të jenë përfitues. Unë dua që t’i kënaqim të gjithë këtë vit. Fondi është 15 mln euro, ndërkohë ne nuk kemi vetëm mekanizmin e subvencioneve, por kemi edhe fondin e garancisë, i cili do të gjenerojë 50 mln euro kredi,” – tha Panariti.

Ministri tha se mbështetja e prodhimeve bujqësore shqiptare është një nevojë dhe një sfidë për t’u përmbushur, sepse ato përfaqësojnë cilësitë e vendit tonë në tregjet ndërkombëtare.

“Në SHBA zëmë 70% të tregut të sherbelës. Kjo është arsyeja që vaji shqiptar eksportohet në tregje elitarë si ai zviceran. Kjo është arsyeja se mjalti dhe vera shqiptare shkojnë deri në Hong Kong,” – u shpreh Panariti.

Pin It