Asambleja e KE refuzon kandidaturat shqiptare për gjykatës në Strasburg

gjykata_e_strasburgut1_13462

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës refuzoi të premten tre kandidatët e paraqitur nga qeveria shqiptare për vendin e gjykatësit në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Tre emrat e propozuar nga vendi ynë janë Genti Ibrahimi, Sokol Berberi dhe Ina Rama, të cilët udhëtuan drejt Parisit për t’u intervistuar nga përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, por pa arritur të pranohen në votim.

Ende nuk dihet arsyeja e refuzimit të listës së kandidaturave nga Shqipëria, por kjo do të thotë që vendi ynë duhet të paraqesë tre emra të tjerë.

Secili nga 47 vendet anëtare të Këshillit të Evropës ka të drejtën të emërojë një gjykatës në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Procesi i përzgjedhjes së tyre përfshin dy hapa: propozimin e listës me tre kandidatë dhe përzgjedhjen e Asamblesë Parlamentare. Procesi i përzgjedhjes përfshin intervistimin e kandidatëve nga përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare.

Përveç Shqipërisë, KiE ka rrëzuar këtë vit dy herë listën e Azerbajxhanit për zgjedhjen e gjykatësit që do të zëvendësojë paraardhësin e tij.

Pin It