“Aylan përsëri në breg”

38092DD1-DBC6-4237-8E1C-792B8E72E0DE_mw1024_s_n

Trupat e pajetë të 34 emigrantëve, anijet e të cilëve u fundosën gjatë përpjekjeve për t’u hedhur në ishullin grek Lesbos u gjetën në brigjet turke . Mes viktimave ka dhe gra e fëmijë, ndërsa Rojet Bregdetare arritën të shpëtonin 10 persona.

Viti që lamë pas u mbyll me 850 mijë vetë, të cilët kaluan në Greqi, përmes Turqisë.

Mësohet se mjetet lundruese, me të cilat udhëtonin emigrantët, u mbytën gjatë natës për shkak të motit të keq. Autoritetet turke bënë me dije se, nuk është e qartë sa njerëz ishin në bordin e dy gomoneve, që nuk ia dolën të kalonin drejt Greqisë, prandaj nuk dihet as numri i personave që kanë humbur.

Sipas policisë turke, 10 persona u shpëtuan nga të dy incidentet dhe operacionet e kërkimit vazhdojnë ende. Ndërkohë, larg detit, nga kampi i refugjatëve në provicën turke Batman vjen lajmi i rëndë i vdekjes së një fëmije 4-muajshe në çadër nga i ftohti.

Sipas agjencisë turke “Cihan”, në strehën e emergjencës ku familja siriane jetonte, nuk kishte ngrohje dhe as elektricitet, ndaj dhe foshnja nuk ka mundur të mbijetojë. Familjarët e foshnjes thanë se ia dolën t’i shpëtojnë vdekjes nga plumbat në Siri dhe nuk mendonin kurrë se do të humbisnin fëmijët nga i ftohti në Turqi.

Organizatat ndërkombëtare të ndihmës humanitare ngrenë alarmin se moti i ftohtë, i cili nuk ia ka dalë që të frenojë fluksin e emigrantëve, po krijon shumë probleme në kampet e mbipopulluara të refugjatëve, të cilët kanë nevojë për ndihmë të menjëhershme.

Pin It