Kryebashkiakët shqiptarë të Prishtinës, Tetovës, Ulqinit, Preshevës dhe Tiranës zhvilluan një takim të përbashkët në Tiranë me qëllim rritjen e bashkëpunimit rajonal mes komunave dhe bashkive shqiptare në rajon.
Takimi u realizua me ftesë të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se ky është një projekt praktik për të mësuar nga njëri-tjetri dhe jo një projekt nacionalist. Ai e cilësoi fat rrethimin e Shqipërisë nga shqiptarë të tjerë dhe tha se shpreson në rritjen e rrjetit të bashkive dhe komunave shqiptare që realizojnë projekte të përbashkëta.
“Në këtë prag festiv jam i lumtur që t’i uroj mirëseardhjen 4 miqve, të cilët ndajnë të njëjtin pasion me mua. Ky është takimi i parë i rrjetit të komunave dhe bashkive shqiptare në Ballkan. Sot do të kemi një ditë vizitash në Tiranë për të parë disa nga projektet. Unë besoj se kur jemi bashkë dhe kur ndajmë të njëjtat vështirësi, bëjmë një punë më të mirë. Pas këtyre 5 bashkive kryesore ne shpresojmë që rrjeti të zgjerohet në të gjitha bashkitë dhe komunat shqiptare në rajon.
Si takimi i parë kjo është vetëm një bërthamë themeluese e unionit të bashkive shqiptare në rajon dhe besoj se do të pasohet. Unë besoj me gjithë zemër se ky është shekulli i shqiptarëve, i shqiptarëve që punojnë dhe që e kanë fokusin tek arritjet. Nuk jetohet vetëm me slogane, jeta e përditshme nuk është një ndeshje futbolli”, u shpreh Veliaj.