Bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe Europolit, Wainwright: “Shqipëria gur i çmuar për ne”

14915554_1852394575046905_2873429664425702648_n

Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, zhvilloi një takim me Drejtorin e Europolit (organizata e Bashkimit Europian për zbatimin e Ligjit) Rob Wainwright. Në fokus të takimit ishin krimi i organizuar, terrorizmi, migracioni i paligjshëm dhe bashkëpunimi për t’i luftuar ato.

Wainwright e cilësoi partneritetin me Shqipërinë si një nga gurët e çmuar të Europolit dhe se ndihet krenar për marrëveshjet operacionale me Shqipërinë. Drejtori i Europolit tha se do e përfshijë Policinë Shqiptare në të gjitha veprimtaritë sepse tashme Policia e Shtetit ka fituar besimin e partnerëve ndërkombëtarë.

Nga ana tjetër edhe Çako shprehu gatishmërinë për të rritur bashkëpunimin me partnerët tanë ndërkombëtarë strategjikë dhe në veçanti me Europolin.

“Asistenca e Europolit në përmirësimin e analizës kriminale në përgjithësi dhe asaj SOCTA në veçanti si edhe përfshirja e Policisë së Shtetit në hetimet e përbashkëta është një prioritet që Policia e Shtetit është duke kërkuar me vendosmëri dhe duke e ndjekur me këmbëngulje në zbatim të prioriteteve të Qeverisë Shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe formave të tyre si edhe të trafikut të paligjshëm e migracionit të paligjshëm”, tha ai

Kjo vizitë, e organizuar me mbështetjen e Misionit e Asistencës së Bashkimit Evropian Pameca IV, vjen pas disa takimesh dhe pjesëmarrjesh në nivel operacional të suksesshme, ku Policia e Shtetit ka marrë pjesë krah për krah me partnerin e saj strategjik dhe operacional Europol.

 

Pin It