Brazil – Belgjikë, më shumë se një supersfidë

Në kuadër të fazës së çerekfinaleve të Botërorit Rusi 2018, ditën e nesërme në orën 20:00 do të zhvillohet supersfida Brazil-Belgjikë në stadiumin “Kazan Arena”.

Për të kaluar Belgjikën në çerekfinale të këtij kampionati, Brazili do të duhet të bëjë të pamundurën. Kjo pasi që nga finalja e vitit 2002 ku arriti të ngrejë kupën e botës pas fitores 2:0 ndaj Gjermanisë, kombëtarja Braziliane nuk ka mundur të luajë asnjë finale tjetër pasi është eleminuar rregullisht nga kombëtaret e europës qendrore.

Brazili, pesë herë kampion bote, është eliminuar ndaj Francës dhe Holandës në çerekfinale të këtij kompeticioni në vitet 2006, 2010. Katër vite më pas pësoi humbjen tragjike 7-1 ndaj Gjermanisë në gjysmëfinale të kupës së botës në shtëpi.

Për fat të mirë për Brazilin, Belgjika ka një rekord të dobët kundër ekipeve të Amerikës Jugore në Kupën e Botës. Belgjika, jo vetëm që nuk ka fituar asnjë nga ndeshjet e saj kundër Amerikano – Jugorëve në fazat e eliminimit, por nuk e ka gjetur portën me asnjë gol të shënuar ndaj tyre. Për më tepër Belgjika humbi 1:0 ndaj Argjentinës në çerekfinalen e vitit 2014.

Por, këtë vit shohim një Belgjikë ndryshe nga vitet e kaluara. Ajo i ka fituar të katër përballjet e saj, përfshirë këtu edhe rikthimin nga 2:0 në 2:3 për të mposhtur Japoninë në raundin e 16 me një kundërsulm emocionues në sekondat e fundit të kohës së rregullt të takimit. Patjetër që do të jetë një ndeshje plot emocione dhe me plot surpriza sepse të dyja skuadrat janë në formën e tyre më të mirë.

Pin It