BSH: Rënia e besimit përkeqësoi rritjen ekonomike

 

download

Banka e Shqipërisë, në prezantimin e raportit mujor të politikës monetare, ka zbardhur arsyet që kanë kushtëzuar ritmet e ulta të rritjes ekonomike si dhe inflacionin në kufinjtë e zeros.

“Informacioni i ri ka qenë në krahun e poshtëm të pritjeve të Bankës së Shqipërisë. Rritja ekonomike e tremujorit të katërt të vitit 2015 rezultoi më e ulët se parashikimi, inflacioni i tremujorit të parë të 2016 shënoi rënie të papritur. Ambienti i huaj ka rezultuar i përkeqësuar dhe besimi i biznesit nuk shfaqi përmirësim të qëndrueshëm. Këto zhvillimi kanë shtyrë në kohë kthimin e ekonomisë në ekuilibër”, vlerësojnë ekspertët e Bankës së Shqipërisë.

Indeksi I besimit në ekonomi ra me 5.7 pikë, në tremujorin e parë të vitit 2016, duke zbritur poshtë mesatares historike raportoi më parë Banka e Shqipërisë. Ecuria e këtij treguesi u përcaktua nga rënia e besimit në të gjithë sektorët e ekonomisë. Në rënie ka qenë dhe besimi konsumator.

Ekspertët e Bankës së Shqipërisë e vunë theksin dhe në rënien e investimeve kapitale, që janë zëri që kanë pësuar tkurrjen më të madhe në të gjithë zërat e shpenzimeve buxhetore.

Ndërkohë edhe inflacioni ka qenë afër zeros, për tre muaj radhazi. Sipas ekspertëve të Bankës së Shqipërisë, kjo rënie ishte e papritur pasi ata nuk kishin informacion paraprak për një gjë të tillë. Efekti kryesor vlerësohet të ketë ardhur nga rënia e naftës.

Ekspertët e bankës kanë paralajmëruar se normat e interesit nuk do rriten para vitit 2017 dhe se stimuli monetar mund të rritet edhe më tej gjatë këtij viti.

Pin It