Bukuritë e jugut të Shqipërisë vijnë përmes pikturave të Jorgji Gjikopulli

Piktori i njohur Jorgji Gjikopulli vjen me ekspozitën personale, “Atje…ku kam qenë, atje…ku dua të jem” në galerinë e artit FAB.

Përmes 39 veprave në tablo pikture artisti sjell këtë herë jugun e Shqipërisë. Peizazhe të Himarës apo Dhërmiut vijnë për publikun përmes telajos së piktorit Jorgji Gjikopulli.

Pas më shumë se tre vitesh nga hapja e ekspozitës personale në galerinë “Zeta”, piktori këtë herë vjen me të tjera vepra, që janë realizime të tre viteve të fundit. Arti i tij është konsideruar gjithnjë si një copëz drite me ngjyra që nuk të lodhin asnjëherë dhe kjo vjen për publikun dhe përmes veprave në galerinë FAB pranë Universitetit të Arteve.

“Kjo pikturë nuk është në kontakt direkt me natyrën, por është një shumë emocionesh që nuk janë të herës së parë apo të dytë, por janë të përhershme që fillon dhe mbushet piktori me emocione dhe i zbraz me pas në telajo”, pohon piktori Jorgji Gjikopulli për krijimtarinë e tij.

Piktori Jorgji Gjikopulli është një nga emrat e spikatur në artin shqiptar. Ndër vite me artin e tij ka përcjellë te publiku një krijimtari me vlera, që këtë herë ndalet në jugun e vendit. “Unë pikturën që bëj për Himarën apo Dhërmiun nuk bëj atë që është, por bëj atë që duhet të jetë”, tregon më tej piktori për tablotë e tij në galerinë e artit FAB.

Por përtej emocioneve që të ofrojnë shtresat e ngjyrave që shkrihen me njëra-tjetrën në tablotë e tij, qetësia është  ndjesi që uron artisti të përcjellë. Drita, hapësira, ngjyra të japin gëzim, pohon artisti. “Njerëzit të mos lodhen me dëshpërime, fatkeqësi, drama. Kam një dëshirë të pozitivitetit, të asaj çfarë është pozitive, drita, hapësira, ngjyra janë elemente që të japin një gëzim dhe jo trishtim. Trishtimi nuk më pëlqen”, vijon piktori Jorgji Gjikopulli për veprat e tij.

Ekspozita do të qëndrojë për publikun në galerinë FAB deri më datë 2 qershor.  /ATA/

Pin It