Reshjet e dëborës zhvendosen në jug, vështirësi në qarkullim dhe disa fshatra të izoluar

saranda

Reshjet e borës janë zhvendosur në jug të vendit duke arritur në 10 cm trashësi edhe në qytetin e Sarandës.

Situata e rrallë për këtë qytet ka krijuar vështirësi me qarkullimin, pasi Bashkia nuk ka shërbim borëpastrues dhe rrugët po pastrohen me autobotë me ujë Shtabi i emergjencave Civile raporton se rrugët e brendshme të qytetit janë të kalueshme vetëm me zinxhirë.

Në jug qarkullimi realizohet me vështirësi edhe tek Qafa e Muzinës, ku për shkak të bores dhe ngricës aksi nacional Gjirokastër-Sarandë, është pothuajse i pakalueshëm për mjetet e vogla. Po ashtu edhe rrugët e brendshme në qytetin e Gjirokastrës paraqesin vështirësi në lëvizje.

I bllokuar është edhe aksi nacional Përmet-Ersekë si dhe nuk funksionon dogana e pikës kufitare të 3 urave, ku bora ka bllokuar rrugën.

Zona e Zagories dhe Pogonit janë aktualisht të izoluara. Edhe Tepelena është mbuluar nga bora. Rrugët e brendshme pothuajse janë të pakalueshme për mjetet. 11 fshatra të njësisë Frashër janë izoluar dhe trashësia e borës arrin në 70 cm.

Bordi i emergjencave në Bashkinë e Sarandës ka nisur punën për plotësimin e nevojave të familjeve në vështirësi. Një paketë ndihmë emergjence me ushqime, ujë, batanije dhe dru zjarri për ngrohje, u është ofruar 71 familjeve që jetojne në kushte të veshtira në disa zona banimi në qytetin e Sarandës, Ksamilit etj.

 

Pin It