Dëbora bllokon disa fshatra në Dibër, Bulqizë e Kukës, probleme në Korçë, zbardhet edhe Saranda

Prej dy ditësh vijojnë reshjet e dëborës në zonat malore të vendit, por jo vetëm, pasi sot është zbardhur edhe Saranda. Situata në zona të caktuara të vendit paraqitet problematike nga reshjet e dëborës që kanë rënë. Disa zona rurale të thella në Kukës, Bulqizë dhe në Dibër janë të izoluara nga dëbora. Në Dibër janë të bllokuara nga dëbora nëntë fshatra në njësinë Lurë, gjithashtu edhe disa në Kalanë e Dodës, Zall Dardhë, Grykë Nokë, ndërsa në Bulqizë është e bllokuar Terrova.

Trashësia e dëborës në këto zona e ka bërë të pamundur qarkullimin e automjeteve. Ndërkohë që rruga Kukës-Peshkopi kalohet me vështirësi, rruga Peshkopi-Tiranë kalohet pa probleme. Në qarkun e Korçës akset nacionale janë të kalueshme pa zinxhirë, por në zonat turistike malore dëbora ka arritur nga 15-40 cm dhe lëvizja mund të bëhet vetëm me zinxhirë. Ndërkohë që edhe në qytet ka probleme me ngricat në rrugë.

Moti i keq në Kukës, ja rrugët e bllokuara nga dëbora

Në Kukës të gjitha rrugët janë të kalueshme me përjashtim të aksit rrugor që lidh Njësinë Administrative Arrën me rrugën nacionale dhe fshatin Turaj me Njësinë Administrative Topojan. Në bashkitë Tropojë dhe Has furnizimi me energji elektrike është normal me përjashtim të fshatit Pistë Njësia Administrative Malzi Bashkia Kukës dhe fshatrat Kishaj e Pogaj të Nj.Ad.Gjinaj bashkia Has.

 

Zbardhet bregdeti, Saranda vishet me dëborë (VIDEO)

Ulja e temperaturave ka sjellë reshje dëbore edhe në qytetin bregdetar të Sarandës. Sipas IGJEUM reshjet do jenë në formë dëbore deri në lartësinë 600 metra mbi nivelin e detit.

Nis dëbora në qytetin e Gjirokastrës

Në Gjirokastër ka rënë dëbora e parë për këtë vit. Jo vetëm në fshatra, por edhe në qytet ka rënë dëborë, por nuk raportohet për probleme. Institucionet janë në gatishmëri në rast emergjence në zonat malore.

Shqiptarja

Pin It