COVID-19, kreu i OBSH: Përgatituni për rikthim të mundshëm global

Udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë se shtetet “duhet të jenë të përgatitura për mundësinë e rikthimit” të koronavirusit të ri, teksa Evropa vazhdon të rihapet dhe Kina përballet me shpërthim të ri, që ka nxitur mbylljen e disa pjesëve të Pekinit dhe Ballkani po shënon rritje shqetësuese të numrave të të infektuarve.

Teksa numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus ka shkuar 8 milionë e 120 mijë të infektuar dhe numri i të vdekurve më shumë se 439,000, Ghebreyesus ka theksuar se janë dashur dy muaj për të regjistruar 100,000 raste ditore të prekurish me këtë virus – që tani prej disa javësh përbën shifër ditore të infektimit – dhe se virusi është duke u përhapur me shpejtësi në Azi dhe territorin amerikan.

Paralajmërimet për marrje të masave, me qëllim të luftimit të këtij virusi, kanë ardhur pasi Kina ka rritur numrin e testimeve dhe ka izoluar disa pjesë të kryeqytetit të saj, me qëllim kontrollimin e shpërthimit të ri, pas shqetësimeve se kjo mund të jetë vala e dytë e sëmundjes Covid-19, që shkakton ky virus.

Në gjithë Pekinin, 29 ndërtesa janë vënë nën “menaxhim të mbyllur”, pasi të gjitha pikat e hyrjes janë duke u kontrolluar dhe janë vendosur rregulla të ashpra në lëvizje.

Prej 12 qershorit janë regjistruar 106 raste të reja të të infektuarve në Pekin. Të infektuarit duket se kanë marrë virusin në një treg ushqimor.

Shifrat e reja në Kinë tregojnë se sa i vështirë është procesi i ndaljes së këtij virusi, për të cilin fillimisht është raportuar në Kinë, në fund të vitit të kaluar, por mos harrojmë që atje kishte arritur të kontrollohej pas zbatimit të masave për izolim të ashpër.

Në Ballkan duket se kemi një rikthim të infektimit në masë, pasi u hoqën kufizimet. Shqipëria, Maqedonia, Kosova kanë shumëfishuar rastet ditore të të infektuarve të evidentuar. Kjo nuk ka ardhur nga një politikë rritjeje të testimeve, sepse tamponë vazhdojnë tu bëhen vetëm atyre që kanë simptoma të Covid-19 dhe kontakteve të tyre të ngushta.

Pin It