Dalja e Britanisë, ministrat e jashtëm europianë: Rëndësi ka stabiliteti i BE-së

brexit-be-ok

Gjashtë vendet themeluese të Bashkimit Europian janë mbledhur sot në Berlin për të diskutuar në lidhje me rezultatin e referendumit për daljen e Britanisë së Madhe nga BE. Ministrat e Jashtëm të Italisë, Francës, Hollandës, Belgjikës, Luksemburgut dhe Gjermanisë janë takuar që herët në mëngjes për të diskutuar zhvillimet e fundit në Europë.

Tema kryesore e takimit është pozicioni i Britanisë së Madhe pas referendumit që votoi pro daljes nga BE dhe rezultatet e mundshme që do të pasojnë. Drejtuesi i kësaj mbledhjeje, Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, tha se BE nuk duhet të kalojë ndonjë gjendje tranzicioni, paralize ose depresioni si pasojë e daljes së BM-së.

Në të njëjtën linjë mendimi u shpreh edhe ministri italian Gentiloni, i cili tha se Britanisë do t’i kërkohet përshpejtimi i procedurave dalëse në rast daljeje.  “Europa ka nevojë për stabilitet të tregut, për qartësi e forcë e përzgjatja e procedurave të divorcit të Britanisë së Madhe nga BE vetëm do të dëmtonte”, – tha ai.

Në lidhje me këtë çështje në datë 27 qershor do të zhvillohet një tjetër takim në Berlin, kësaj here mes Kancelares Merkel, Kryeministrit italian Renzi dhe Presidentit frances Hollande. Takimi do t’i paraprijë Samitit të jashtëzakonshëm që do të mbahet më 28 qershor në Bruksel.

Pin It