De Biasi dhe Mavraj: Marrim tre pikë ndaj Lihtenshtajnit

lojtari-i-ekipit-kombetar-shqiptar-mergim-mavraj

Do të luhet në Lihtenshtajn por për shkak të interesimit të madh të tifozëve, stadiumi modest i përfaqësueses rivale në Botërorin 2018, do t’i ngjajë një impianti shqiptar.

Mbrojtësi Mërgim Mavraj shpreson se do të kenë një mbështetje të madhe mbrëmjen e së enjtes në sfidën e dytë kualifikuese, atë ndaj Lihteshtajnit, por edhe pse nuk e nënvlerësojnë kundërshtarin pasi nuk ka më ekipe të vogla, besojnë në marrjen e 3 pikëve.

“Është një ndeshje e vështirë. Nuk e nënvlerësojmë kundërshtarin por ne i dimë cilësitë tona. Jemi rritur si skuadër dhe kemi shumë besim. Tani nuk ka më skuadra të vogla. Të arrish te fitorja duhet të punosh shumë. Normalisht që detyra mbrojtëse është tjetër në këtë ndeshje sepse duhet t’u krijojmë mesfushorëve hapësira. Duhet të jemi të përqendruar deri në minutën e fundit”, tha mbrojtësi.

30-vjeçari e pranon se skuadra ka punuar shumë edhe me goditjet standarde pasi në futbollin modern edhe këto episode mund të bëjnë diferencën.

 Ndërsa trajneri Gianni de Biasi vendosi theksin tek eliminimi i rrezikut para portës shqiptare, duke tentuar më pas të maksimizojnë shanset në kuadratin e Lihtenshtajnit.

“Çdo skuadër ka mundësi të krijojë rreziqe. Ne kemi punuar për të limituar në maksimum rrezikun përballë portës tonë. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të përqendruar dhe të shfrytëzojmë rastet që do të krijojmë gjatë ndeshjes. Duhet të kërkojmë të jemi më të zotët se kundërshtari dhe të qëndrojmë me këmbë në tokë sepse ndeshjet nuk fitohen pa nisur ende. Skuadra arrin të fitojë kur është e përqendruar dhe kur luan shpejt. Kur jemi në këto parametra atëherë mund të vëmë në vështirësi çdo kundërshtar”, De Biasi.

Pavarësisht kuriozitetit të gazetarëve të pranishëm në konferencën e shtypit, De Biasi nuk dha pika referimi përsa i përket formacionit që do të hedhë në fushën e lojës.

“Do të kërkojmë të hedhim në fushë skuadrën e duhur për të vendosur në vështirësi kundërshtarët. Shpresoj që lojtarët të jenë në 100 % të formës dhe të luajnë një ndeshje me nivel. Do të bëj disa ndryshime sepse do të luajmë dy ndeshje të rëndësishme dhe më duhet të vlerësoj çdo detaj. Besoj se duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të menaxhuar forcat”, u shpreh De Biasi.

Pin It