Dibra, zona me potenciale për turizëm gjithëvjetor

34_big

ATSH-Gjergji Mima

Kryesfida e turizmit në Shqipëri mbetet turizmi gjithëvjetor, që do të thotë se vendi ynë duhet ta shtojë vëmendjen, mbështetjen dhe promovimin e turizmit malor në mënyrë që zonat malore të marrin zhvillim. Një shembull mjaft i mirë për zhvillimine turizmit gjithëvjetor në vendin tonë është Dibra.

Qeveria Gjermane, nëpërmjet GIZ -bashkëpunimi teknik gjerman, ka dhënë dhe vazhdon të japë asistencë dhe kontribut në zhvillimin e turizmit malor në vite në Shqipëri dhe Dibër duke promovuar këto zona për shumë donatorë të tjerë që kanë orientuar projektet e tyre nga zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit rural dhe kulturor.

Dibra duke qenë një zonë me turizëm të zhvilluar malor, ndryshe nga plazhi ka potenciale për turizëm gjithvjetor.

Atraksionet kryesore që mund të gjenden në zonën e Dibrës janë ujërat termale, duke e kthyer këtë zonë në një zone shumë atraktive, dhe me rritje të numrit të turistëve. Përveç llixhave Dibra ka edhe shumë zona të tjera, si kisha, xhamia, kalaja e Grezhdanit, kalaja e Dodës, Lura.

Të gjitha këto atraksione gërshetohen mjaft bukur me natyrën e bukur, me ajrin e pastër dhe kuzhinën tradicionale dibrane, të cilën turistët vendas apo të huaj mund ta shijojnë në bujtinat e shumta apo hotelet në këtë zonë malore.

Gjithashtu në Dibër mund të zhvillohen edhe veprimtari sportive, për ata që preferojne lëvizjen dhe sportet e ujit. Kështu në Dibër mund të zhvillohet hiking, ku guida të licencuara falë edhe bashkëpunimit me GIZ drejtojnë turistët nëpërmjet shtigjeve malore, në zonën e Korab-Koritnik. Në këto udhëtime turistët mund të bëhen njësh me natyrën dhe të gjejnë paqe dhe qetësi me ajrin e pastër dhe malet më të larta shqiptare në sfond.

Ndërkohë një sport tjetër mjaft i bukur dhe i përhapur së fundmi është edhe rafting në Drinin e Zi, i cili mundësohet falë Outdoor Albania, një grup të rinjsh të cilët udhëzojnë dhe drejtojnë turistët në ujrat e rrjedhshëm të lumit Drini i Zi dhe ku secili mund të zgjedh itinerarin që dëshiron.

Gjithashtu, Dibra është edhe bashkia e parë në këtë zonë që ka arritur të këtë hartën e vetë të pikave turistike si dhe ka ngritur katër Info Point në gjuhën shqipe dhe angleze që do t’i vinë në ndihmë të turistëve ta viju. Info-Point-et e Dibrës do të ndiqen nga 60 të tjera në qytete të tjera të Shqipërisë, të realizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë në bashkëpunim me GIZ dhe Agjencinë Kombëtare të Turizmit.

GIZ -Bashkëpunimi Teknik Gjerman, i dhuroi Bashkisë së Dibrës 10.000 harta të printuara me të gjitha destinacionet turistike të zonës në mënyrë që aksesi në to të jetë sa më i lehtë.

 

 

Pin It