Dinastia Marubi në Amsterdam, vlerësime dhe kureshtje për ekspozitën  

marubi-poster-amsterdam

Ekspozita me fotografi “Dinastia Marubi – 100 vite të studios fotografike shqiptare” në Amsterdam ka fituar vëmendjen dhe kureshtjen e publikut holandez. Prej datës 15 shtator përpara muzeut “Foam” njerëzit qëndrojnë në radhë për të prerë biletën që iu ofron mundësinë të njohin një nga koleksionet më të rralla fotografike të Europës.

Ekspozita përmban foto të realizuara nga tre breza fotografësh të familjes Marubi, në të cilat shfaqen portrete, jetë njerëzore të klasave shoqërore dhe epokave të ndryshme. Nga portrete të përfaqësuesve të perandorisë osmane, tek Mbreti Zog, familjet borgjeze dhe barinjtë, ekspozita shpalos realitetet e ndryshme të Shqipërisë dhe shqiptarëve për rreth një shekull, një histori e pasur e një vendi të izoluar dhe pak të njjohur në Europë.

Prezantimi i këtij koleksioni në muzeun “Foam” të Amsterdamit vjen pas sistemimit të tij në Muzeun Kombëtar të Fotografisë ‘Marubi’ në Shkodër. Ministria e Kulturës nisi prezantimin e ekspozitës në Europë me qëllim promovimin e vlerave të jashtëzakonshme të saj dhe njohjen e vlerave të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Gjatë vizitës së saj në këtë ekspozitë ministrja Mirela Kumbaro e vlerësoi atë si pasaportë të kulturës sonë dhe ftoi njerëzit të vizitojnë këtë dinasti kulturore.

“Sot – tha Kumbaro, – është koha kur duhet marrë avioni, trageti apo makina, për të vizituar muzeun më të bukur të fotografisë në Ballkan.”

Ndërsa kryeministri Edi Rama, përmes një postim në Facebook, u shpreh se dinastia Marubi mrekulloi Amsterdamin.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në 27 nëntor, kështu që të gjithë të interesuarit do të kenë mundësi të shohin punën ndër vite të Pietro, Kel dhe Gegë Marubit. Pietro Marubi ishte italiani që u largua nga vendlindja për t’i shpëtuar regjimit fashist dhe ndërtoi në Shkodër të parën studio fotografike në rajon. Ndihmësi i tij, Kel, mori mbiemrin e mjeshtrit të tij në shenjë nderi dhe ia trashëgoi atë, së bashku me pasionin për fotografinë, të birit Gegë Marubi.

2_marubi_national_museum_of_photography_shkoder_rezwt_w1600_h1242_h1242_q85

3_marubi_national_museum_of_photography_shkoder_rezwt_w1600_h1061_h1061_q85

kel_marubi_with_his_wife_in_the_studio_no_date_silver_gelatine_dry_process_on_glass_c_kel_marubi___marubi_national_museum_of_photography__shkoder_w1201_h1600_h1600_q85

marubi_national_museum_of_photography_shkoder_w1258_h1600_h1600_q85

Pin It