Edukimi dhe demokracia do ta mposhtin ekstremizmin

IMG_2747

Mbarë bota po tronditet çdo ditë nga ngjarje të rënda që kanë shkaktuar tragjedi të mëdha me humbje të shumta jetësh njerëzore duke goditur vlerat e përbashkëta tonat.

141 qytetarë francezë humbën jetën në sulmet e Parisit dy muaj më parë, 43 të tjerë u vranë në Bejrut vetëm një ditë para gjakderdhjes në Francë dhe së fundmi, tre ditë më parë, dhjetë shtetas gjermanë humbën jetën nga një sulm vetëvrasës në Stamboll.

Këto janë vetëm një pjesë e statistikave të një serie të gjatë gjakderdhjesh dhe viktimash të pafajshme dhe vrasësi mban të njëjtin emër: Terror.

Është një vrasës që tashmë nuk po njeh më kufij dhe nuk po bën më dallime mes viktimave të tij.

Ata që kanë pasur një agjendë, që shkon kundër vlerave universale humane, kanë gjetur “sepse” të ndryshme për të justifikuar politikat e tyre. Në shekullin e kaluar “sepse”-ja kërkohej tek diferencat racore apo klasore, kurse terrori i këtij shekulli po përpiqet të vendosë besimin dhe kulturën, si pika ndarëse mes dy botëve, duke ngritur prej tyre një filozofi të tërë dhune dhe frike.

Unë jam i bindur se kjo nuk është një luftë kulturash dhe qytetërimesh, por një luftë e barbarisë kundër njerëzimit, një luftë e urrejtjes kundër dashurisë dhe bashkëjetesës.

Ashtu siç thekson edhe mendimtari bashkëkohor mysliman Fet’hullah Gylen në shkrimin e tij të para pak javëve në prestigjiozen franceze “Le Monde”, “Në fund të fundit, humanizmi ynë i përbashkët renditet përpara identiteteve tona etnike, kombëtare ose fetare, dhe ai merr një goditje të rëndë sa herë që ndërmerret një akt barbar. Qytetërimi ynë nuk ka për të përparuar sa kohë që ne nuk do t’i trajtojmë me të njëjtën ndjeshmëri dhe njëlloj tragjike vuajtjet e njerëzve, pavarësisht identitetit të tyre fetar, apo etnik dhe t’i përgjigjemi me të njëjtën vendosmëri.

Përballë kësaj situate, zgjidhja e të cilës nuk duket e lehtë, ndihet nevoja e padiskutueshme për një mobilizim të elitave kulturore, medias, institucioneve shtetërore, institucioneve arsimore dhe edukative, komuniteteve fetare, kërkuesve shkencorë, politikanëve dhe çdo qelize tjetër në shoqëri. Ne nuk duhet të mjaftohemi thjesht me dënimin në mënyrë kategorike të ideologjisë së propaganduar nga terroristët, por është e domosdoshme që me qartësi dhe siguri të mbajmë një qëndrim proaktiv ndaj këtyre ngjarjeve.

Në rrethanat e reja të krijuara është detyra sidomos e vetë ne myslimanëve, që të tregojmë shembullin e drejtë.

Ne duhet të punojmë për të ngritur kuadrin e nevojshëm për identifikimin e të rinjve të rrezikuar, mbrojtjen e tyre nga përpjekjet për të gjetur mënyra vetëshkatërruese, duke ndihmuar familjet e tyre me këshillime dhe shërbime të tjera mbështetëse. Rinia jonë gjithashtu duhet të mësohet me përplasjen e mendimeve brenda suazës së mjeteve demokratike.

Barrën kryesore në këtë drejtim duhet ta mbajnë pikërisht institucionet e edukimit, të cilët duhet të krijojnë një mjedis që promovon diskutimin dhe shkëmbimin e hapur të ideve.

Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, znj. Irina Bokova mbajti një fjalim tejet domethënës gjatë punimeve të sesionit të 38-të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s në fillim të nëntorit të vitit të shkuar, një pasazh të të cilit unë e përzgjodha ta ndajmë së bashku: “Ekstremizmi i dhunshëm ofron shkatërrim dhe urrejtje, ne duhet t’i përgjigjemi me kulturë dhe dije. Ekstremizmi i dhunshëm promovon frikë dhe ndarje, ne duhet t’i përgjigjemi me aftësi për të menduar në mënyrë kritike, me angazhime civile, dhe me promovim të dialogut midis kulturave”.

Pra, ta dënosh terrorin, nuk mjafton… Shoqëria e hapur, edukimi dhe demokracia janë armët më të mira kundër çdo lloj ekstremizmi.*

Prof. Dr. Ferdinand Gjana – Rektor i Shkollës së Lartë Hëna e Plotë-Bedër

 

 

Pin It