Ekonomi: Ndryshimet në ligjin ‘Për barrën siguruese”, pozitive për biznesin

milva

Ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi, i ka konsideruar si shumë pozitive për klimën e biznesit ndryshimet e bëra në ligjin ‘Për barrën siguruese” që u miratuan në Parlament një ditë më parë.

“Ne jemi të bindur se miratimi i këtij ligji do të mundësojë ndryshmin pozitiv të klimës së biznesit dhe do të ndikojë në rritjen e dhënies së kredive mes Bankave e institucioneve financiare nga një anë dhe subjekteve të tjera nga ana tjetër, si edhe mes vetë subjekteve tregtare ose jo tregtare që nuk mund të garantojnë kreditë e tyre”, thekson ministrja Ekonomi.

Përse amendimet ishin të nevojshme?
Së pari, Ligji 133/2013 “Për sistemin e pagesave”, parashikon si palë të një marrëveshje të “kolateralit financiar” vetëm personat juridikë, ku të paktën një palë është Republika e Shqipërisë, Banka e Shqipërisë, një bankë qendrore e huaj, në bankë, institucion financiar, dhe subjekte të tjera që operojnë në një sitëm të licencuar (agjent shlyerës, një operator, ose autoritet publik vendas apo ndërkombëtar).
Në këto kushte, në zbatim të Ligjit nr. 133/2013, një person fizik nuk mund të lidhë një marrëveshje të kolateralit financiar, si marrës apo dhënës kolaterali;
Gjithashtu, dy persona juridik, të ndryshëm nga sa më sipër, (p.sh. dy shoqëri që tregtojnë mallra konsumi) nuk mund të lidhë një marrëveshje të kolateralit financiar;

Së dyti, Ligji 133/2013, parashikon si objekt mbi të cilin mund të vendoset kolateral, pra si objekt i cili mund të garantojë një detyrim financiar, vetëm instrumente financiare, ku përfshihen aksionet e shoqërive tregtare, tituj të tjerë të ngjashëm me to, obligacionet dhe instrumente të tjera të borxhit, në se këto janë të negociueshme në tregun e kapitalit. Kjo nënkupton se përjashtohen pasuritë në formën e pronësisë intelektuale (pasuritë e paprekshme) dhe llogaritë e subjekteve që nuk ishin persona juridike dhe të licencuar për të operuar në sistemin e pagesave. Nga sa më sipër rezulton se marrëveshja e kolateralit financiar nuk zbatohet për aksionet e pa tregtueshme në tregun e kapitalit. Në kushtet e Shqipërisë ku nuk kemi tregun e kapitali (bursën), praktikisht marrëveshja e kolateralit financiar është e kufizuar në zbatimin e saj.
Të gjitha subjektet që nuk mund ti referohen Ligjit 133/2013 “Për sistemin e pagesave”, për të siguruar detyrimet financiare të të tretëve ndaj tyre nuk kanë më as mundësinë që u jepte Ligji 8537/1999 “Për barrët siguruese”, sepse dispozitat e tij u shfuqizuan për disa lloje kolaterali.
Në këto kushte u konstatua pa dyshim një boshllëk ligjor dhe rritje të pasigurisë së kredi dhënësve, të cilët ose nuk kanë bazë ligjore për sigurimin e kredive me peng joposedimor (barrë) në rastet e pambuluara nga marrëveshja e kolateralit financiar sipas Ligjit nr. 133/2013 “Për sistemin e pagesave.

Së treti, situata e pasigurisë dhe pamundësisë së subjekteve të ndryshme, që kryejnë aktivitet biznesi, për të garantuar kreditë e tyre me kolateral sipas barrëve siguruese, ndërsa nuk kishin mundësi të tjera sipas sistemit të pagesave, u reflektua edhe në raportin e vitit 2016 “Doing business” për Shqipërinë, ku theksohej se  “ndryshimet në Ligjin “Për barrët siguruese” ndikuan në dobësimin e kreditimit të shëndetshëm të biznesit, në rastet kur kolaterali është pasuri e paprekshme, letër me vlerë, etj”.
Për të riparuar këtë situatë pasigurie, në qarkullimin civil dhe kredi dhënien mes subjekteve që nuk mund të operojnë sipas ligjit “Për sistemin e pagesave”, propozohet ndryshimi i Ligjit nr. 8537/1999 “Për barrët siguruese” që  rikthen termat e shfuqizuar në vitin 2013, por duke bërë kujdes që të mos cënohet fusha e veprimtarisë së Ligjit nr. 133/2013 që rregullon marrëdhëniet juridike me objekt marrëveshjet e kolateralit financiar.

Pin It