Eksporti i bimëve mjekësore, 70% e tregut amerikan është sherbelë “made in Albania”

salvia-officinalis

Rreth 70% e sherbelës që tregtohet në SHBA është e eksportuar nga Shqipëria, gjë që e bën vendin tonë furnizuesin kryesor për tregun amerikan. Po ashtu Gjermania dhe Turqia rieksportojnë rreth 15% të kësaj bime mjekësore të prodhuar në Shqipëri.

Eksporti i bimëve mjekësore nga Shqipëria drejt tregjeve të huaja zë një vend të rëndësishëm në eksportet shqiptare. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë shitjet e bimëve mjekësore jashtë vendit gjatë vitit 2015 sollën 3.1 miliardë lekë të ardhura ose 11% më shumë se një vit më parë.

Kjo rritje ka qenë e vazhdueshme ndër vite duke përbërë 24-28% të eskportit të produkteve agroushqimore.

Grumbullimi dhe tregtimi i bimëve mjekësore është burimi kryesor i të ardhurave për zona të caktuara të vendit, ku puna me këto bimë siguron rreth 35% të të ardhurave të një familjeje. Ekspertët thonë se vendi ynë ka resurse natyrore të mjaftueshme për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori dhe rritjen e eksporteve. Por standardet e grumbullimit, përpunimit dhe paketimit të bimëve vijojnë të jenë të pamjaftueshme për zgjerimin e eksporteve.

Shqipëria është e pasur me specie autoktone të bimëve medicinale, aromatike dhe erëza. Kultivuesit dhe përpunuesit e tyre përballen prej kohësh me nevojën për sipërfaqe më të mëdha magazinimi për mbrojtjen e bimëve nga kontaminimi.

Pin It