Ermonela Jaho, e përzgjedhura e publikut botëror si më e mira e Operës

ERMONELA-655x356

Ermonela Jaho, sopranoja shqiptare e njohur në botë, fitoi të dielën në mbrëmje Çmimin Ndërkombëtar të Operës. Jaho e ka fituar çmimin në bazë të votave të publikut botëror në një kategori ku konkuronte me disa nga emrat më të njohur të muzikës operistike si Joyce Didonato, Juan Diego Florez, Dimitri Hvorostovsky, apo Eva Maria Westbroek.

Ky çmim cilësohet si “Oskari” i Operës Botërore dhe është hera e parë që një artist shqiptar merr një çmim kaq të lartë.

“Jam shumë e emocionuar në këto momente. Falenderoj gjithë shqiptarët që votuan për mua dhe publikun që më ndjek në çdo anë të botës. Kushdo që përkushton gjithë jetën drejt pasionit të tij, është gjithmonë fitues”, deklaroi Jaho për TCH pas marrjes së çmimit ndërkombëtar.

Performanca e saj të dielën në mbrëmje ngriti publikun e Londrës në këmbë dhe mori duartrokitje të shumta. Opera Awards 2016 shkruan në faqen e saj në Twitter: “Të gjithë në lot pas performancës së Ermonela Jahos “Mamma usciva da casa”.” Sopranoja shqiptare interpretoi gjithashtu edhe një pjesë nga “Madam Butterfly”.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve u zhvillua të dielën në mbrëmje në Teatrin Savoi në Londër dhe në të përfshiheshin kategori të ndryshme si çmimi për regjinë më të mirë, dirigjentin më të mirë, këngëtarët e kategorive të ndryshme dhe produksionet e teatrove nëpër botë.

Pin It