Çmimet e shitjes së banesave vijojnë të rriten

pallate-800x445

Çmimet e shitjes së banesave janë rritur me 11.3% gjatë tremujorit të parë të 2016. Kështu rezulton nga analiza e Bankës së Shqipërisë, e cila vlerëson se indeksi i çmimit të banesave iu rikthye normave rritëse pas rënies së shënuar në tremujorin e katërt.

Nga ana tjetër ndërtuesit thonë se rritja ka ardhur nga taksat vendore dhe jo nga kërkesa. Sipas tyre kjo rritje do t’iu faturohet qytetarëve në çmimin final të shitjes së banesave.

“Ne ato apartamente me humbje nuk do t’i shesim, janë parashikuar dhe fitime. Kështu që sa herë do të rrisë taksat Bashkia, do të rrisim dhe ne çmimin e apartamenteve.U rritën menjëherë, me këtë taksë që vuri Bashkia u rritën me 20 euro për metër katrorë”, thotë Hajredin Fratari, biznesmen në fushën e ndërtimit.

Ndërtuesit paralajmërojnë një rritje të mëtejshme të çmimeve, për shkak të rritjes së taksës mbi infrastrukturën për ndërtimet e reja.

“Në të rejat do të futet dhe kjo taksa e infrastrukturës që është minimum 50 euro për metër katrorë, flasim për periferinë. Kurse këtu në qendër është edhe 100-150 euro,” tha Fratari.

Pin It