Facebook prezanton një botë të re teknologjike

Facebook-u pati pak ditë më parë konferencën e tij të tetë, por titujt e parë të gazetave, nuk i pushtoi vetëm për këtë arsye.

Ai që vazhdon të diskutohet në media e forume online është plani i parashtruar prej Mark Zuckerbergut për t’i dhënë fund varësisë ndaj objekteve fizike për ndërveprimin dixhital.

Kjo përfshin telefonat inteligjentë, televizorët, kompjuterat e ndoshta edhe vetë kinemanë. Bota i njeh prej kohësh ambiciet e Facebook-ut për një realitet të shtuar virtual. Tani, kompania thotë se kërkon të integrojë inteligjencën artificiale në planin e saj të biznesit.

Prezantimi që Zuckerbeg i bëri Camera Effects është vetëm një shembull i asaj çfarë rrjeti social më i madh i globit parashikon për të ardhmen, ku sipas tij s’do të ketë nevojë për telefona inteligjentë, apo mekanizëm tjetër fizik me ekran.

Nuk do të kemi nevojë për një televizor, citohet të ketë thënë Zuckerberg. Do të mjaftojë të blihet aplikacioni TV, e mund ta shohësh figurën edhe në mur.

“Është e jashtëzakonshme të mendosh sa të shumta janë gjërat të cilat nuk duhet të jenë patjetër fizike”, shtoi ai.

Facebook-u ndërkohë po punon edhe me një teknologji që do t’i lejojë njerëzit të kontrollojnë kompjuterat direkt me trurin e tyre.

“Nuk po flasim për çkodimin e mendimeve tuaja të rëndomta”, tha Regina Dugan, por për interpretimin e fjalëve që kemi vendosur të ndajmë me të tjerët.

Ideja është që të lejohet kompjuteri, ose smartfoni të shkruajë atë që na kalon në mendje me një shpejtësi prej 100 fjalësh në minutë dhe kjo të bëhet pa e prekur tastjerën.

Diçka e tillë do të realizohet përmes një elektrode të vogël në kokë. Sistemi për të cilin po punohet aktualisht do të lejojë njerëzit të shkruajnë direkt nga truri gati pesë herë më shpejt nga sa shkruajnë në celular. 

Pin It