Festohet 104-vjetori i Pavarësisë, mesazhet e krerëve të politikës

1

Shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë përkujtojnë sot 28 Nëntorin e vitit 1912, ditën e Shpalljes së Pavarësisë. Në qytete të ndryshme të vendit janë organizuar festime nën ngjyrat dhe simbolet kuqezi.

Në ceremoninë e organizuar në Vlorë, qytetin e Shpalljes së Pavarësisë, ishin të pranishëm Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, si dhe përfaqësues të pushtetit vendor.

Nishani në urimin e tij për këtë ditë kërkoi nderimin e personaliteteve, dëshmorëve dhe rilindasve që sipas tij i dhanë Shqipërisë drejtimin kah moderniteti e Europa.

Në Tiranë festimet nisën me ngritjen simbolike të flamurit në sheshin “Skënderbej” dhe një spektakël tullumbacesh kuqezi. Kryebashkiaku Erion Veliaj uroi qytetarët e Tiranës dhe gjithë shqiptarët për 104-vjetorin e Pavarësisë dhe për ditë më të mira në të ardhmen.

Veliaj tha se në këto vite patriotizmi më i madh është puna për zhvillimin dhe modernizimin e vendit.

“Kemi më shumë nevojë sot, në dallim nga 104 vite më parë kur luftonim me armë, sot na duhet të punojmë, e sot na duhet të modernizojmë Tiranën e të gjithë Shqipërinë.

Ndaj sot, për Bashkinë e Tiranës, akti më i madh që mund të bëjmë është t’i lëmë fjalët, të hapim më shumë kantiere si ky, të fokusohemi te puna dhe ta modernizojmë qytetin tonë, që është kryeqyteti i të gjithë shqiptarëve.

Kjo është hera e parë dhe e fundit që ceremonia e Flamurit ndodh në një kantier. Vitin tjetër nuk do të jetë më kantier, do të jetë sheshi i përfunduar “Skënderbej”.

Siç e shikoni, po ecim me ritme të jashtëzakonshme, kemi filluar porositë, pllaka, pemë, bimë që përfaqësojnë të gjitha trevat shqiptare, për t’u siguruar që nëntorin tjetër do ta festojmë në një shesh, që do të jetë sheshi më i bukur i trevave tona dhe ndoshta më i bukuri në rajon”, u shpreh ai.

Urimeve iu bashkangjitën edhe kryeministri Edi Rama dhe kryetari i opozitës, Lulzim Basha. Rama i uroi shqiptarët përmes një postimi në Facebook, duke shprehur mirënjohjen për themeluesit e shtetit të parë shqiptar dhe Ismail Qemalin. Ndërsa Basha e bëri urimin nga Varrezat e Dëshmorëve, duke bërë thirrje për nderim ndaj të rënëve për Atdhe. Demokratët si gjithnjë përkujtuan edhe Festën e Çlirimit në të njëjtën datë me Pavarësinë.

 

Pin It