Fitoi zemrat e njerëzve me dhembshuri!

Abdullah ibn Zubejri (r.a) kishte një parcelë me palma në Medine. Përbri saj, ishte parcela e Muavije ibnu Ebi Sufjanit (r.a), kalifit të myslimanëve asokohe, por që jetonte në kryeqendrën e kalifatit, në Damask.
Një ditë, punëtorët e kalifit hyjnë në parcelën e Abdullahut, gjë e cila përsëritet edhe disa ditë të tjera. Abdullahu zemërohet shumë dhe i shkruan një letër kalifit, Muavijes. Mes këtyre të dyve ekzistonin pakënaqësi dhe mërira të vjetra, kështu që letra përmbante fjalë të rënda dhe ankesa kundrejt kalifit dhe punëtorëve të tij.

Hz. Muavijes (r.a), i cili njihet për maturinë dhe urtësinë, i mbërriti letra në Damask dhe e lexoi. Ai e thirri të birin e tij, Jezidin dhe i tha:”Po ti, çfarë mendon o Jezid?”
Jezidi i tha se duhej ta ndëshkonin për guximin dhe mënyrën sesi ka folur kundrejt kalifit të myslimanëve.
Hz. Muavija (r.a) i thotë: “Do të bëj diçka tjetër më të mirë dhe më të dobishme për lidhjet që kemi!”
Pastaj i shkroi një letër, në të cilën i thoshte:
”Nga Muavije ibn Ebi Sufjan, drejtuar Abdullah ibn Zubejrit, të birit të Esmasë, asaj që ka sakrifikuar aq shumë për sigurinë e Profetit a.s..
Pasha të madhin Zot, po ta kisha të gjithë botën do të ta dhuroja ty. Nëse parcela ime që kam në Medine, do të shtrihej gjer këtu në Damask, do të ta kisha dhënë. Kur ta marrësh këtë letër, bashkoja parcelën time parcelës tënde, punëtorët e mi punëtorëve të tu, se i ke dhuratë prej meje. Unë shpresoj të fitoj parajsën e Zotit, e cila është më e gjerë sesa toka me qiejt.”
Kur Abdullah ibnu Zubejr (r.a) e lexoi letrën, i rrodhën lot saqë iu lag dhe mjekra. Ai mori rrugën për në Damask dhe sapo u takua me kalifin Muavije (r.a), i puthi kokën dhe i tha: “Zoti mos na privoftë nga urtësia dhe mençuria jote!”
Morali:
Gjithmonë mund t’i fitosh zemrat e njerëzve falë dhembshurisë dhe dashurisë që u fal atyre. Sado keq të të bëjë dikush, asnjëherë mos e interpreto butësinë tënde si naivitet dhe dobësi. Është pikërisht kjo zemërbutësi ajo që të zbukuron në sytë e të gjithëve.

Pin It