Francë, protestë në Calais: Të mbyllet kampi i emigrantëve

_91027482_chain_reuters

Banorët e qytetit francez të Calais bllokuan rrugët kryesore të qytetit në shenjë proteste ndaj rritjes së numrit të emigrantëve në Francë. Ata kërkojnë mbylljen e kampit të emigrantëve të ardhur nga Lindja e Mesme, të cilët jetojnë në çadra në pritje të një mundësie për të udhëtuar drejt Britanisë së Madhe.

Drejtuesit e kamionëve bllokuan rrugën kryesore, ndërsa qindar protestues me pankarta në duar kërkuan mbylljen e kampit të quajtur “Xhungël”, me pretendimin se kampi dëmton qytetin dhe shkakton kaos në port.

Kampi është shndërruar në pikën qendrore të krizës së emigrantëve në Francë me rreth 7000 njerëz të ardhur kryesisht nga Lindja e Mesme, Afganistani dhe Afrika, të cilët jetojnë aty.

Një korrespondent i BBC raporton, se një azilkërkues nga Sudani u shpreh i trishtuar për mënyrën se si vendasit e shohin kampin, duke thënë se ata duan vetëm të jetojnë në paqe pas arratisjes nga konfliktet në vendin e tyre.

Nga ana tjetër një drejtues i shoqatës së kamionëve në Francë tha se ata janë të vendosur të tregojnë se janë të pakënaqur me situatën.

Në shkurt autoritetet shkatërruan pjesën jugore të “Xhunglës”, duke synuar pakësimin e numrit, por kampi ka vazhduar të rritet dhe protestuesit kërkojnë këtë here prishjen e pjesës veriore të tij.

Por presidenti i Shoqatës së Tregtarëve të Calais tha se shteti po kujdeset t’i japë përparësi mirëqënies së emigrantëve përpara tregtarëve, punonjësve të portit dhe turistëve.

Javën e kaluar, Britania e Madhe dhe Franca u zotuan të punonin së bashku për rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e situatës humanitare në Calais për mijëra të pastrehë dhe rikthimin në atdhe të emigrantëve të paligjshëm që nuk kanë nevojë për mbrojtje.

Nga ana e saj Londra ka premtuar strehimin e 150 fëmijëve refugjatë të pashoqëruar, por sipas aktivistëve numri i tyre në kampe arrin në 400.
_90964295_jungle

 

Pin It