Fullani kërkon 37 milion lekë dëmshpërblim për shkarkim të padrejtë nga posti i Guvernatorit

Ardian FULLANI

Pasi e ka fituar plotësisht pafajësinë, ish-Guvernatori Ardian Fullani është kundërpërgjigjur.

Ai ka paditur Kuvendin dhe Bankën e Shqipërisë për shkarkim të padrejtë nga detyra.

37.68 milionë lekë është dëmshpërblimi që ish-guvernatori Ardian Fullani kërkon të përfitojë nga Banka e Shqipërisë, të cilën e ka paditur në gjykatën administrative për ndërprerje të padrejtë të mandatit të tij.
Nuk kërkoj kompensim për burgun e padrejtë. Padia bëhet për shkarkimin e padrejtë nga posti i guvernatorit të Bankës së Shqipërisë”, shprehet Fullani.

Ardian Fullani u shkarkua nga detyra si guvernator i Bankës së Shqipërisë në shtator të vitit 2014 dhe u vu para akuzës për shpërdorim detyre, pas vjedhjes së 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë dhe u shpall i pafajshëm në tetor të vitit 2015.

Prokuroria nuk ndërmori rekurs për këtë vendim të gjykatës, çka bëri automatikisht zhveshjen nga të gjitha akuzat dhe shpalljen të pafajshëm për ish-guvernatorin.

Në kërkesë padinë e depozituar në Gjykatën Administrative, Fullani kërkon pagën dhe përfitimet që ai ka patur si guvernator dhe si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës nga shkarkimi i tij në shtator 2014 deri më 17 nëntor 2018 kur atij i mbaronte mandati.

Ardian Fullani u shkarkua më 18 shtator 2014 dhe në kërkesë padi ai shkruan se mandati i përfundonte më 17 nëntor 2018, ku rezulton një diferencë me 50 muaj.

Me një llogari për 50 muaj përfitime që ish guvernatori kërkon në gjykatë me pagën 753.759 lekë në muaj, totali i faturës për buxhetin e shtetit nëse Fullani fiton gjyqin është 37.68 milion lekë.

Pin It