Kryeprokurori Adriatik Llalla rikthen Njësinë Antikorrupsion 1 muaj pasi e shkriu

llalla

Një muaj pas shkrirjes së njësisë antikorrupsion, kryeprokurori Adriatik Llalla, vendosi shtimin e numrit të prokurorëve në strukturën e ngritur posaçërisht për hetimin e zyrtarëve të lartë.

Në një mbledhje të Këshillit të Prokurorisë, zhvilluar të premten e javës së shkuar, u vendos transferimi i 8 prokurorëve në njësinë antikorrupsion në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Mes prokurorëve që pritet të transferohen pranë kësaj njësie, është edhe Ramadan Troci, prokurori që arrestoi ish-Guvernatorin Adrian Fullani dhe ish-kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika.

Kjo lëvizje e Llallës, konsiderohet e beftë jo vetëm se shtimi i prokurorëve në njësinë antikorrupsion bëhet në kulmin e debatit për Byronë e Hetimit, por edhe për faktin se vetëm një muaj më parë, ai largoi 4 prokurorë nga kjo njësi.

Por ajo që e bën edhe më të çuditshme lëvizjen e fundit të kryeprokurorit, është fakti se shtimi i radhëve të prokurorëve bëhet pikërisht në kulmin e debatit për Byronë e Hetimit.

Prej ditësh, Partia Demokratike kërkon miratimin e kësaj strukture, e cila parashikohet të jetë në varësi të Njësisë së Përbashkët Antikorrupsion në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Por dy partitë në qeveri, e kanë kundërshtuar një nismë të tillë me argumentin se duhet të pritej rekomandimi i Komisionit të Venecias.

I pari që e artikuloi këtë tezë, ishte kryeministri Edi Rama, i cili përballë kërkesave të opozitës tha se Byroja do të jetë pjesë e Reformës në Drejtësi.

Pas tij, edhe bashkëkryetari i koalicionit qeverisës, Ilir Meta, deklaroi se për Byronë do të priteshin rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Por përtej deklaratave të palëve politike, Byroja Kombëtare e Hetimit, duket se është një investim direkt i amerikanëve.

Mësohet se janë akorduar rreth 8 milionë dollarë për trajnimin e prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore që do të jenë pjesë e Byrosë.

Po ashtu, këto para do të përdoren edhe për pajisjen me mjetet e nevojshme të Byrosë me qëllim hetimin e plotë dhe pa pengesa të të gjitha rasteve të korrupsionit në radhët e zyrtarëve të lartë.

Dhe kryeprokurori duket se po përgatit terrenin, me shtimin e numrit të prokurorëve edhe pse drafti i mazhorancës parashikon pavarësi të plotë të njësisë antikorrupsion nga Prokurori i Përgjithshëm.

Byroja Kombëtare e Hetimit është kthyer në qendër të debateve politike kur PD i kërkoi me ngulm qeverisë që të sjellë ligjin në parlament. Kryeministri Rama ka thënë se ligji është pjesë e reformës në drejtësi. Por sipas PD, Rama ka ndër mend modelin e vjetër, që ta ketë ai nën vartësi Byronë.

Një variant i tillë u rrëzua nga Gjykata Kushtuese, me argumentin se Byroja merrte kompetencat e prokurorisë.

 

Pin It