Fuqitë ndërkombëtare presion Rusisë, thirrje për paqe

rusia-po-e-shton-ndikimin-n-euml-ballkan-video_hd

Fuqitë ndërkombëtare kanë vijuar të ushtrojnë presion ndaj Rusisë, duke i kërkuar kësaj të fundit që t’i japë fund bombardimeve ajrore në Siri. Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Philip Hammond, deklaroi se dhënia fund e armiqësive është e vetmja mënyrë për të arritur në një zgjidhje të konfliktit në Siri.

Ai shtoi se në rast se Rusia nuk do të ndalë sulmet ajrore, nuk mund të presë që rebelët të heqin dorë nga luftimet.

 

“Rusët mund t’i japin fund kësaj lufte nëse duan. Ata bëjnë mirë që të ndërpresin armiqësitë me opozitën e moderuar dhe t’i drejtojnë sulmet në objektiva terroriste. Por, nëse Kremlini mendon se opozita do t’i ulë armët ndërkohë që ata vijojnë të godasin nga ajri, atëherë e kanë shumë gabim. Një gjë e tillë nuk mund të ndodhë.”

 

Ndërkohë, edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për politikat e jashtme, Federica Mogherini, ka bërë thirrje që palët të respektojnë marrëveshjen e arritur disa ditë më parë në Mynih. Ajo tha se armëpushimi mund të përshpejtojë edhe proceset e dhënies së ndihmës humanitare për qytetarët sirianë të cilët janë në nevojë.

Megjithatë, zyrtarët më të lartë të Kremlinit kanë vijuar që t’i qëndrojnë besnikë qëndrimit të tyre.

 

Kryeministri rus, Dimitry Medvedev ka deklaruar se forcat ajrore ruse nuk po godet mbi rebelët ose civilët. Ai nënvizoi se bombardimet janë të koordinuara mbi grupet terroriste.

Në mbyllje, Medvedev theksoi se qeveria e Bashar Al-Assad është i vetmi autoritet legjitim në Siri.

Pin It