Gjermania dhe Austria ndihmojnë institucionet shqiptare në luftën ndaj korrupsionit

44 ekspertë gjermanë dhe austriakë do të ndihmojnë institucionet shqiptare në luftën ndaj korrupsionit. Një projekt binjakëzimi midis Gjermanisë, Austrisë dhe Shqipërisë do të mundësojë që institucionet homologe të asistojnë për një periudhë 30 mujore institucionet shqiptare në forcimin e politikave dhe burimeve njerëzore për luftën ndaj korrupsionit.

Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, njëherësh Koordinator Kombëtar Kundër Korrupsionit, zhvilloi të mërkurën një takim me drejtuesit e projektit në fjalë. Çuçi tha se ky projekt do të ndikojë drejtpërdrejt në betejën kundër korrupsionit, si pjesë kryesore e reformës në drejtësi.

“Për dy vjet e gjysmë institucionet homologe gjermane dhe austriake do jetë pranë institucioneve shqiptare për të përmirësuar dhe çuar më tej betejën kundër korrupsionit”, u shpreh ai.

Institucionet që do të përfitojnë nga projekti i binjakëzimit janë Kontrolli i Lartë i Shtetit, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Koordinatori Kombëtar Kundër Korrupsionit.

Projekti, i cili ka vlerën e 3 milionë eurove, realizohet me mbështetjen e BE-së dhe synon të ndihmojë zbatimin e reformës në drejtësi.

Pin It